Çmimi i energjisë elektrike që është blerë për muajin gusht ka kapur vlerat më të larta në 3 vitet e fundit.

Një megavat orë është shitur me 76 euro, ndërsa për të gjithë sasinë që është kërkuar çmimi mesatar arrin në 72 euro/megavat orë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është detyruar këtë herë që të bëjë disa negociata me kompanitë të cilat kanë ofruar energjinë, pasi nuk ka arritur të sigurojë të gjithë sasinë që nevojitej për të plotësuar nevojat e konsumatorëve.

Në total, kosto për të përballuar vetëm muajin gusht ka arritur në 29.6 milion euro, afro 10 milion më shumë se sa ishin programuar nga OSHEE.

Një pjesë e mirë e kompanive kanë rritur çmimin që ato tregtojnë energjinë elektrike për shkak të kërkesës së madhe që ka sot tregu, ndërsa në bursën e Hungarisë një megavat orë sot tregohet me 58 euro, për gushtin e njëjta sasi varion nga 52 deri në 63 euro. Thatësira e  tejzgjatur do të detyrojë institucionet shqiptare që të bëjnë importe edhe në shtator, ndërsa drejtoria e buxhetit në ministrinë e financave është duke planifikuar që të japë edhe fondin 25 milion euro që është vënë në dispozicion të mbështetjes së sektorit energjetik./Tv Klan