Fondi Monetar Ndërkombëtar ngre shqetësimin se, niveli i lartë i kredive me probleme është një nga shkaqet kryesore që e rendit Shqipërinë të fundit në rajon sa i përket kreditimit të ekonomisë.

E pranishme në forumin e katërt financiar, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anita Tuladhar tha se rimëkëmbja ekonomike në Shqipëri po forcohet, por kjo rimëkëmbje nuk është mbështetur nga rritja e kreditimit. Sipas Tuladhar, përveç Serbisë, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me problem në Rajonin Perëndimor.

Shefja e FMN-së, Anita Tuladhar: “

Rritja e kreditimit në Shqipëri është me pak se vendet e rajonit. Shkak për këtë është kërkesa dhe oferta.  Nga ana e ofertës vështirësi ka për shkak të nivelit e larte te kredive me problem. Pavarësisht se niveli i kredive me problem ka rënë, me përjashtim të Serbisë, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive me probleme në Rajonin Perëndimor. Duhen trajtuar kreditë me probleme

”.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se me hapat që janë ndërmarrë në sistemin financiar janë zgjidhur disa nga problemet që pengonin aktivitetin kreditues dhe tani bankat kanë më shumë hapësirë për të kredituar.

Arben Ahmetaj:

Bankat që operojnë në vendin tonë janë institucione me staf të kualifikuar, mirë-trajnuar dhe mirë shpërblyer dhe jam i bindur që më pak më shumë fokus mbi këtë çështje, do të gjejnë hapësirën e duhur për të kredituar. Perspektiva jonë janë sektorët që garantojnë avantazhe konkurruese për ekonominë shqiptare.‎ Ne jemi tejet të fokusuar në sektorët e bujqësisë, energjisë dhe mineraleve, turizmit apo manifakturës

Sa i përket nivelit të larte të kredive me probleme, Ahmetaj tha se niveli i tyre ka rënë dhe synohet që  në fund të 2017 të ulen nën 15%. /TV KLAN