“Amnistia fiskale mundësi për pastrim parash”

Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet kundër dy nismave të qeverisë shqiptare për amnistinë fiskale dhe heqjen e tatim-fitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël. Nëpërmjet një deklarate të publikuar në përfundim të një vizite formale, por të zhvilluar online, misioni i FMN shprehet se amnistia fiskale krijon mundësi për pastrim parash dhe evazion fiskal.

“Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion.”

Fond Monetar thotë se nisma për heqjen e tatim-fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë në vit dhe përjashtimi nga sistemi i TVSH-së për ata me të ardhura deri në 10 milionë lekë mund të gërryejë sistemin tatimor.

“Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cënonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore.”

FMN parashikon se ekonomia shqiptare do të tkurret këtë vit edhe për tremujorët e ardhshëm, ndërsa nëse pandemia nuk do të ketë një valë të dytë, rimëkëmbja do të nisë vitin e ardhshëm. Fondi vlerëson masat sociale të marra gjatë pandemisë, por thekson se në çdo rast duhet transparencë e plotë, ndërsa rekomandon nisjen e konsolidimit fiskal dhe uljen e borxhit pasi të përfundojnë goditjet e pandemisë.

Tv Klan