Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar me ulje rritjen ekonomike për Shqipërinë duke parashikuar se për 2019-n ekonomia jonë do të rritet me 3.5%, kundrejt vlerësimit prej 4% që ka bërë qeveria shqiptare.

Në raportin e dytë të programit të post monitorimit, thuhet se tre faktorët kryesorë që do të ndikojnë në ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike janë rënia e prodhimit të energjisë, situata ekonomike tek partnerët tanë tregtarë, por edhe kriza politike.

“Politika ka hyrë në një periudhë me pasiguri të larta që prej Shkurtit të këtij viti, kur anëtarë të partive opozitare braktisën vendet në Kuvend.”

Për herë të parë Fondi Monetar ka shprehur shqetësimin lidhur me rritjen e numrit të shqiptarëve që emigrojnë dhe plakjen e popullsisë, çka ndikon drejtpërdrejt në rënien e cilësisë së punës për ekonominë tonë.

“Popullata në plakje e Shqipërisë dhe emigrimi paraqesin rrezik te kapaciteti prodhues. Forca e aftë për punë ka nisur që tani të bjerë me 0.6% për periudhën 2015-2019.”

FMN kërkon që qeveria të rishikojë nismën për përfshirjen në skemën e TVSH-së biznesin e vogël që realizon xhiro mbi 2 milionë lekë në vit, duke e vlerësuar këtë nismë si jo efektive.

“Zgjerimi i bazës së TVSH-së dhe eliminimi i normave preferenciale të reduktuara do të përmirësonte ndjeshëm efektivitetin e të ardhurave të TVSH-së. Zvogëlimi i fundit i pragut të përfshirjes në këtë skemë nga 5 deri në 2 milionë lekë duhet të rishikohet.”

Fondi kërkon që të miratohet me urgjencë ligji i cili eliminon ofertat pakërkuara në fushën e koncesioneve, duke i dhënë Ministrisë së Financave kompetenca në analizën e kostove dhe përfitimit të tyre. Po ashtu FMN bën thirrje që të shlyhen sa më parë detyrimet e prapambetura, sidomos ato që janë krijuar në fushën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa konstaton një tkurrje të ndjeshme të investimeve publike, të cilat pritet të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike të vendit.

Tv Klan