Gjatë 2020 vdekjet shtesë janë 20% më shumë se mesatarja në vitet 2015-2019

Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë në vitin 2020, në raport me mesataren e vdekjeve në periudhën 2015-2019, kjo gjë është konfirmuar edhe nga një  grafik i fundit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas grafikut të FMN, në 2020-n vdekjet shtesë në vendin tonë ishin mbi 20% më të larta së mesatarja e pesë viteve të fundit, duke u renditur vendi i parë në Europë. Më pas vjen Maqedonia e Veriut me rreth 18% dhe Kosova e treta me 17%. Nga shtetet e rajonit , vdekshmëria më e ulët shtesë ishte në Serbi me 10%, ndërsa në Bosnjë ishte 15%.

Në Europë më pak pasoja në humbjen e jetëve nga pandemia në 2020-n ishin Norvegjia, Letonia, Danimarka, Finlanda, që panë një rritje të vdekshmërisë shtesë me më pak se 5% për periudhën e analizuar nga FMN. Ndërkohë që Italia, e cila u përball me valën e parë të pandemisë shënoi për gjithë vitin një rritje të vdekshmërisë shtesë me më pak se 14%, në raport me mesataren e viteve 2015-2019.

Numrin e lartë të vdekjeve gjatë pandemisë në Shqipëri e ka konfirmuar më herët edhe raporti i Komisionit Europian.

Sipas KE-së vdekjet shtesë në Shqipëri gjatë vitit 2020 ishin 27% më të larta se vdekjet mesatare vjetore në periudhën 2016-2019. Kjo përqindje ishte më shumë se dyfishi i vdekjeve shtesë në BE, të cilat ishin 12.8% më shumë.  Sipas të dhënave kombëtare nga INSTAT në total, në vitin 2020-n, humbën jetën 27,605 persona, me një rritje prej rreth 26% në raport me vitin e mëparshëm, ose rreth 5,700 persona më shumë.

Pjesa dërmuese e vdekjeve shtesë gjatë vitit të kaluar, sipas INSTAT u justifikuan me diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe shkaqe të panjohura. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë nga koronavirusi  kanë humbur jetën mbi 2800, por në këto të dhëna përfshihen vetëm vdekjet në spitalet Covid. Trendi në rritje i vdekjeve ka vijuar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2021. Ndërkohë që tre bashkitë me numrin më të lartë të vdekjeve janë Tirana me 1154 vdekje, Elbasani me 283 dhe Durrësi me 281 vdekje.

Klan News