Tregjet aziatike dhe australiane ranë për të dytën ditë radhazi, pas vendimit të Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja, të cilat vazhdojnë të ngjallin frikën e një recesioni global.

Gjithashtu edhe tregjet amerikane u mbyllën me humbjen më të madhe që kur Covid shkaktoi rënie ekonomike në shumë vende në 2020. Nikkei i Japonisë ra më shumë se 2.6%, dhe aksionet australiane ranë në nivelin e tyre më të ulët në tetë muaj, me më shumë se 2.4%.

Zbatimi i fundit tarifor i Trump ka shkaktuar pasiguri, ndërsa investitorët presin që gjendja të përkeqësohet në vijim. Kompanitë e mëdha pas vendimit të administratës amerikane humbën një total prej 2.4 trilion Dollarësh, humbja e tyre më e madhe njëditore që kur pandemia e koronavirusit goditi tregjet globale më 16 Mars 2020, ndërsa indekset e tjera të Wall Street në mënyrë të ngjashme pësuan rënie të madhe.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar se tarifat e reja “paraqesin qartë një rrezik për perspektivën globale”.

“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre tregtarë që të punojnë në mënyrë konstruktive për të zgjidhur tensionet tregtare dhe për të reduktuar pasigurinë”, tha Kristalina Georgieva drejtoresha e FMN-së.

Bazuar në parashikimet, OBT-ja tani thotë se pret që vëllimi i tregtisë globale të tkurret me 1% këtë vit, përkundër parashikimit të mëparshëm për një rritje prej 3%.

Nga bordi i Air Force One, Presidenti amerikan Donald Trump tha para gazetarerëve se rënia e tregjeve të aksioneve për shkak të vendimit të tij për të vendosur tarifa pritej dhe hapi ishte i nevojshëm për të shpëtuar ekonominë amerikane. Trump u shpreh se Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer ishte “shumë i lumtur” për mënyrën se si Britania është trajtuar për tarifat.

“Ne kemi një dialog shumë të mirë dhe mendoj se ai ishte shumë i lumtur për mënyrën se si i trajtuam ata me tarifat,” tha ai në bordin e Air Force One, duke iu referuar taksës 10% të importit që vendosi ndaj Mbretërisë së Bashkuar, e cila është ndër më të ulëtat në botë. Starmer tha se qeveria e tij “po merrte një qasje të qetë, duke vepruar në interesin kombëtar.” Por qeveria ka publikuar gjithashtu një listë të produkteve amerikane që mund të synojë me tarifa hakmarrëse.

Zemërimi evropian për taksën 20% të importit të mallrave të BE-së në Shtetet e Bashkuara u bë i qartë nga ministrat e Jashtëm në një takim të NATO-s në Bruksel. Delegacioni francez tha se solidariteti transatlantik po “vihej në provë” nga tarifat e Presidentit Trump, ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë sugjeroi se masa dëmtoi sigurinë ekonomike të NATO-s.

Klan News