Ish-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me demokratët në qytetin e Bajram Currit. Takimi u mbaj në Pallatin e Kulturës së qytetit të Bajram Currit.

Berisha ka njoftuar se takimet me demokratët do të vijojnë dhe në ditët në vijim. Të dielën, ish-kryeministri do të takohet virtualisht me demokratët në SHBA.

Berisha: Basha po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste në kabinetin Rama

Nga Tropoja, Sali Berisha akuzoi Lulzim Bashën së gjatë ditëve të fundit po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste në kabinetin Rama.

“Ne duhet të shndërrohemi në opozitë të vërtetë sepse në 8 vite, pengkryetari i cili na çoi nga dështimi në dëshmi, një kampion humbjesh dhe dështimesh, faktikisht me qëndrimet e tij, defaktorizoi PD, e çoi atë para alternativës të jetë apo të mos jetë. Dy ditët e fundit, pengkyretari me një grusht vasalësh, dedërmenësh, etj. po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh, zv/ministrash në kabinetin e Edi Ramës. Ky është akti i fundit i turpit të tyre. Le t’i themi se “futuni në qeveri si tradhtarë, por do ju përmbysim së bashku me ta në një kohë sa më të shkurtër”“.

Berisha paralajmëron nenin “Basha” në statutin e ri, çfarë parashikon

Nga Tropoja, Sali Berisha ka deklaruar se në Kuvendin e 11 Dhjetorit do të kalojnë shumë ndryshime statutore që në thelb kanë sjelljen e pushtetit tek vetë qytetarët.

Berisha paralajmëroi që do të kalohet një nen në statut që do të quhet neni “Basha” dhe në të cilin parashikohet që nëse kryetari humb zgjedhjet ai do të largohet pa asnjë diskutim.

Po ashtu Berisha tha se në statutin e ri, zgjedhjet për deputetët dhe kandidaturat për deputet do të bëhen nga anëtarësia dhe mbështetësit e PD-së.

“Të dashur miq, ndryshime të mëdha statutore janë parashikuar. Që të gjitha sot kanë një qëllim, të sjellin tek ju pushtetin. I vetmi pushtet i drejtë, i vetmi pushtet i qëndrueshëm, është pushteti që buron nga vota juaj e lirë. Por ne nuk i përmbushim dot detyrimet tona nëse nuk shndërrohemi vetë në shtëpinë e lirisë. Në statutin e ri do të vendosim primaret, zgjedhjet në parti do të bëhen me votën e të gjithë anëtarëve të saj. Zgjedhjet për deputetët dhe kandidaturat për deputet do të bëhen nga anëtarësia, por edhe nga mbështetësit tanë. Ne i njohim ata, do u japim një kartë jo si e partisë, por një tjetër me të cilën ata mund të vijnë të votojnë për cilin deputet duan. Ai që merr mbështetjen më të madhe ai do të jetë deputeti juaj. Deputeti nuk do të jetë i kryetarit, as i Kryesisë. Maturia dhe pjekuria demokratike e juaj është sot 10 herë më e madhe se sa ç’ishte e jona 30 vite më parë. Kemi një mijë arsye që të shndërrojmë PD në shtëpinë e lirisë. Statuti do sanksionojë kryetari po humbi zgjedhjet, largohet pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet neni “Basha”. Është negativ, por le të na bëhet mësim sot e përgjithmonë që të mos përsëritet historia si kjo. Statuti do të ketë edhe një nen të ri, në të cilën themeluesi i kësaj partie, Azem Hajdari do të shpallet President i Përjetshëm i PD-së”, tha Berisha.

Berisha mesazh Vuçiçit: Nuk do të mësysh Tiranën si mik i Ramës, në do bashkëpunim njih genocidin

Nga foltorja që po zhvillon me demokratët në Tropojë, ish-Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh Presidentit serb, Aleksandër Vuçic.

Berisha i ka bërë thirrje që të mendohet shumë mirë para se të kalojë Ballkanin e Hapur në Tiranë. E sa i përket këtij projekti, Berisha thotë se ka për qëllim të ndajë Kosovën dhe të kthejë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në zona të hegjemonisë serbe.

Berisha shtoi ndër të tjera, se nëse Vuçiç do paqe e bashkëpunim duhet që të njohë më parë genocidin që Serbia ka ushtruar ndaj shqiptarëve.

“Miqtë e mi, Ballkani i Hapur është projekt armiqësor ndaj shqiptarëve. Ballkani i Hapur ka vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës, shndërrimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në zona absolute të hegjomonzimit serb. A do i pranojmë ne këto? Kurrën e kurrës. Ndaj nga kjo platformë do t’i çojmë një mesazh Sllobodanit të ri. Hiqe nga mendja se do të kalojë Ballkani i Hapur në Shqipëri me firmën e Edi Ramës. Mendohu mirë, mendohu shumë herë para se të mësysh Tiranën si mik i Edi Ramës, sepse një popull i tërë do jetë në rrugë kundër teje. Ne jemi dhe do të punojmë për marrëdhënie normale, por jo kurrë në kurriz të Kosovës.

Harroje se mund të prekësh Kosovën. Jemi një komb dhe vetëm një komb dhe kurrë më nuk do mund të prekësh një pjesë të territorit të saj. Në do paqe, miqësi, bashkëpunim në radhë të parë të njohësh gjenocidin ciklik që ke ushtruar ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.

Akuzat për dy dosjet, Berisha-Bashës: Re brenda me të dyja këpucët dhe na gënjeve, jep dorëheqjen

Sali Berisha tha nga Tropoja se Lulzim Basha është peng i Edi Ramës. Ish-Kryeministri deklaroi se Basha ka rënë vetë me “të dyja këpucët” në dosjet “Toyota Yaris” dhe “Muzin”.

Ai u shpreh se Basha i ka gënjyer demokratët të gjithë, prandaj duhet të japë dorëheqjen. Të njëjtën gjë sipas Berishës duhet të bëjnë edhe drejtuesit e pazgjedhur në Partinë Demokratike.

Përndryshe, paralajmëroi Berisha, Kuvendi i PD-së më 11 Dhjetor do të marrë të gjitha masat e nevojshme që duan anëtarët që ta shndërrojnë selinë blu në shtëpinë e lirisë.

“Këtë po e bën Edi Rama duke themeluar shoqatën Basha-Bardhi më 18 Dhjetor, duke themeluar shoqatën dhe mbajtur peng Lulzim Bashën të cilit s’i k përgjegjësi asnjë demokrat në Shqipëri. Është vetë ai që ka rënë brenda me dy këpucët e tij, qoftë në dosjen “Toyota Yaris”, qoftë në dosjen “Muzin”. I ka gënjyer demokratët e tjerë për të dyja, përfshirë edhe Sali Berishën e ka gënjyer. Tani PengBasha është koha të japësh sa më parë dorëheqjen, sikundër, të gjithë drejtuesit e pazgjedhur të PD-së. Në qoftë se kanë sadopak nderim, vlerësim për këtë parti, nëse kanë vlerësimin më minimal për parimet për të cilat ndërtohet një forcë politike duhet të pranojnë se nuk janë zgjedhur nga vota e Këshillit Kombëtar dhe duhet të kërkojnë rivotim me votë të fshehtë kandidatura alternativa siç përcakton statuti. Përndryshe Kuvendi i PD më 11 Dhjetor do të marrë të gjitha masat që ju dëshironi për ta shndërruar PD në shtëpinë e lirisë”, tha Berisha.

Berisha: Soros e kaloi shoqërinë civile në shoqëri të PS, na riktheu në monizëm

Sali Berisha nga Foltorja e Tropojës e akuzoi George Soros se e kaloi shoqërinë civile në Shqipëri në shoqëri të PS, duke e rikthyer vendin në monizëm.

“Unë dalloj atë vend që në letrën e parë, nga mafia e George Sorosit, Asgjë personale nuk kam patur me të, jam sjellë me njerëzi dhe e kam pritur siç presin shqiptarët. Ai mori gjithë shoqërinë civile e financonte dhe siç ishte ia dha PS në dorë. Mori të gjitha mbetjet e sigurimit të çdolloj ngjyre të ekstremit të majtë dhe ia vendosi në dispozicion PS. Soros e kaloi shoqërinë civile në shoqëri të PS, nga riktheu në monizëm”.

Berisha-Ramës: S’ka forcë që na ndal! Me pengun bëj ç’të duash

Sali Berisha kishte një mesazh të drejtpërdrejt nga Tropoja për kryeministrin Edi Rama.

“Ia them që këtu. Edvin ky është revolucion paqësor, por ti me pengun tënd po përpiqesh ta bllokosh, mjerimin do marrësh nëse tenton të bllokosh një revolucion paqësor të pandalshëm. S’ka forcë që e ndal këtë revolucion. E dyta! Edvin, pengun merr e strehoje ku të duash, merre e bëje ministër, bëj ç’të duash me të. Po ne do të themi këtu para këtyre zonjave e këtyre burrave se para se të vijmë tek kutitë e votimit do votojmë një herë me këmbët dhe duart tona me protesta gjer sa të përmbysim narkoshtetin tënd, pastaj do bëhen zgjedhjet. Harroje se ngulim çadra, ne do jemi ortek”.

Ndër të tjera, Berisha i ftoi të gjithë delegatët e Tropojës që të bëhen pjesë e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 11 Dhjetor.

“Gjysmë tokësor, gjysmë qiellor”, si e përshkruan Berisha udhëtimin drejt Tropojës: Jam me fat…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me demokratët në Tropojë. Ky takim është i veçantë për liderin historik të demokratëve, i cili ka vendlindjen në Malësinë e Gjakovë.

Berisha e ka konsideruar udhëtimin drejt Tropojës si “gjysmë qiellor e gjysmë tokësor” duke shtuar më tej se ka pasur fat që ka lindur në Malësinë e Gjakovës.

“Vetvetiu i thashë vetes se njeriu i lirë në vendlindjen e tij është dy herë fëmija i natyrës. Kurse sapo mbërrita tek Hotel Shkëlzeni, Floriana Garo më pyeti, “Doktor si ishte udhëtimi për në Tropojë?” Gjysmë qiellor, gjysmë tokësor iu përgjigja unë asaj. Unë shpesh e shpesh vij me mendjen time më shpesh se kudo në botë vij në vendlindjen time, por edhe më shpesh se çdo gjë tjetër i përsëris vetes çfarë fati të madh pata unë që linda në Malësi të Gjakovës. Sot pas dekadash larg saj, pas dekadash në Tiranë dhe qindra e qindra shëtitjesh nëpër botë  përsëri dua t’ju them se në vendlindjen time, unë kreva universitetin më të rëndësishëm të jetës sime, unë mora diplomën e të gjitha diplomave të jetës sime… në fillimet e memories sime, në familjen time, si në qindra dhe mijëra familje të Malësisë së Gjakovës, Nikajt, Mërturit, Dukagjinit, ekzistonin odat e burrave. Nuk kishte radio, nuk kishte televizor, por të dashur të rinj, e gjithë jeta jonë kalonte nga shkollat tek oda, nga oda tek shkolla. Mirëpo cila ishte e vërteta? E vërteta është që në odë, unë bashkëmoshatarët e mi, mëkoheshim me një dashuri të pafundme për vendin tonë dhe për Kosovën. Kosova për ata burra ishte toka e shenjtë”, tha Berisha.

Qytetarët nuk e lenë të mbyllë foltoren, Berisha: Armiqtë i kanë tmerr vizitat e mia në Tropojë

Nga të gjitha takimet që ka zhvilluar me demokratët, ai në Tropojë mund të konsiderohet ndër më të “vështirët” për Sali Berishën. Kjo pasi ish-kryeministri e pati pothuajse të pamundur që ta mbyllte foltoren që zhvilloi këtë të mërkurë.

Të gjithë donin që të flisnin, ndërsa atmosfera ishte gjatë gjithë kohës e shoqëruar me entuziazëm pas çdo fjale të Berishës. Ish-Kryeministri shprehu mirënjohjen për pritjen, ndërsa nënvizoi se armiqtë dhe kundërshtarët e tij i kanë tmerr vizitat që bën në Tropojë.

“Mirënjohje më të thellë për këtë pritje të jashtëzakonshme, për këtë mesazh të shkëlqyer që u dërgoni sonte demokratëve në mbarë Shqipërinë dhe kudo që janë, por duhet të jem i sinqertë, armiqtë e mi dhe kundërshtarët e mi i kanë tmerr vizitat e mia në Tropojë”, tha Berisha./tvklan.al