Parlamenti Evropian miraton pasdite marrëveshjen për përdorimin e fondeve nga buxheti i BE-së për të ndihmuar vendet në procesin e zgjerimit. Bëhet fjalë për programin IPA 3 nga i cili për këto shtete në shtatë vitet e ardhshme do të jenë në dispozicion 14.2 miliardë euro.

Këto para do të ndahen për Turqinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Risi në këtë marrëveshje është se përdorimi i parave nga ana e vendeve kandidate dhe kandidatët potencialë do të jetë e kushtëzuar më shumë me sundimin e ligjit dhe respektimin e vlerave demokratike.

BE do të ketë mundësi edhe të ndalë ndihmën për këto shtete në rast se do të ketë keqësim të situatës në sundimin e ligjit dhe ecje prapa në zhvillimin e demokracisë. Po ashtu do të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga ana e Parlamentit Evropian në mënyrën se si do të përdoren këto mjete.

Me këtë marrëveshje të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, sipas propozimit të Komisionit Evropian, sigurohet korniza për përdorimin e mjeteve në kornizën shumëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2027 për ndihmën e reformave institucionale, ekonomike, sociale.

Klan News