Fondacioni Nobel: Nuk tërhiqemi nga çmimi për Handke

Posta

Fondacioni Nobel: Nuk tërhiqemi nga çmimi për Handke

16:15 13/10/2019

“Nuk komentojmë reagimet për vendimet tona”

Pavarësisht reagimeve të shumta që ka shkaktuar në Shqipëri, Kosovë, Bosnje Hercegovinë e më gjerë, dhënia e çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke, Fondacioni Nobel thotë se nuk tërhiqet nga vendimi i tij. I kontaktuar nga Tv Klan, Fondacioni Nobel u përgjigj me anë të menaxherit të çështjeve publike të Mikael Östlund, që thotë se nuk do të ketë asnjë kthim pas nga ky vendim.

“Një çmim Nobel nuk mund të revokohet. As vullneti i Alfred Nobelit dhe as statutet e Fondacionit Nobel nuk përmendin një mundësi të tillë. Asnjë nga komitetet vlerësuese në Stokholm dhe Oslo nuk ka shqyrtuar ndonjëherë mundësinë për të revokuar një çmim të dhënë. Në nenin 10 të statutit të Fondacionit Nobel shkruhet se “Asnjë apelim nuk mund të bëhet ndaj vendimeve të trupës që akordon çmimet në lidhje me dhënien e çmimeve”.

Kërkesë zyrtare për revokim të çmimit kanë bërë Akademitë e shkencave në Shqipëri dhe Kosovë. Reagime të ashpra pati nga përfaqësuesit më të lartë të politikës shqiptare që e quajtën këtë vendim të turpshëm. Kundër çmimit folën edhe të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës, por Fondacioni Nobel nuk pranon të bëjë asnjë koment për reagimet që ka shkaktuar dhënia e çmimit për Handke.  

“Më vjen keq, por Fondacioni Nobel nuk komenton asnjëherë përzgjedhjet e pavarura të laureatëve për çmimin Nobel që kryen nga institucionet vlerësuese. I tillë është edhe rasti i përzgjedhjes për të vlerësuar Peter Handken me çmimin Nobel për Letërsinë për 2019-ën. Teksa institucionet që japin vlerësimin me çmime janë të pavarura në përzgjedhjen e laureatëve, Fondacioni Nobel nuk bën komente për reagimet rreth laureatëve të zgjedhur.”

Novelisti austriak 74-vjeçar është i njohur për përkrahjen publike që i ka dhënë ish-liderit të serbëve Sllobodan Millosheviç duke mbajtur edhe një fjalim në funeralin e tij. Handke kishte mohuar masakrat dhe gjenocidin etnik në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë duke i quajtur të padrejta sulmet ajrore të NATO-s mbi ish-Jugosllavi. 

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT