AMF dhe Ministria e Financave kërkojnë ngritjen e shtyllës së dytë

Vetëm 50% e qytetarëve shqiptarë janë kontribues në skemën e pensioneve, çka përbën rrezik për nevojën e financimit të saj në të ardhmen. Edhe pse në 2018-n janë 216 mijë persona më shumë se 5 vjet më parë që paguajnë sigurime shoqërore, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj thotë Shqipëria ka nevojë për të implementuar skemën e pensioneve private, e cila njihet si shtylla e dytë e fondit të pensioneve.

“Funksionimi dhe zhvillimi i fondeve private të pensioneve është i mirëpritur për të plotësuar dhe kompletuar skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, tashmë të reformuar, duke siguruar një nivel më të lartë të ardhurash për individët”, shprehet ajo.

Kërkesën për të zhvilluar tregun e kapitaleve për pensionet private e bëri edhe kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiarë në Forumin Global të Pensioneve Private.

“Kemi një projekt ambicioz për zhvillimin e tregut të kapitaleve, specifikisht edhe për tregun e pensioneve. Si objektiv të përbashkët synojmë të kalojmë nga një treg modest i pensioneve private në një treg të konsoliduar nën një mbikëqyrje të kujdesshme”, thotë drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi.

Aktualisht Shqipëria zbaton vetëm shtyllën e parë dhe të tretë të pensioneve, e para ku garanti për dhënien e tij është shteti dhe i treti lidhet me investimin e individëve në kompani që krijojnë fonde pensionesh.

Shtylla tjetër lidhet me krijimin e një fondi nga kompani të ndryshme, të cilat më pas e investojnë në bursa një pjesë të kontributeve të punëtorëve të tyre.

Tv Klan