Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, foli në konferencë për shtyp, në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme, siç është derbi ndaj Interit.

Tekniku kuqezi, deklaroi se ka zhgënjim për humbjen ndaj Liverpool-it, por ekipi është i bashkuar për të dalë nga situata.

Sipas tij, ekipi po rritet çdo ditë dhe stërvitja ka qenë e qetë gjatë javës. I pyetur për të ardhmen, Fonseca deklaroi se nuk e mendon këtë, pasi gjithmonë ka ndierë besimin e klubit.

“Ka zhgënjim të madh, por ne jemi të bashkuar për të dalë nga kjo situatë. Ekipi e kupton momentin, le të punojmë së bashku për të bërë më mirë. Ne do të luajmë kundër një ekipi të madh. Kemi shumë për të fituar nga kjo ndeshje, duhet të mendojmë pozitivisht. Mund të jetë e rëndësishme për ne.

Unë nuk mendoj për të ardhmen time. Përqendrohem tek ajo çfarë mund të bëj. Skuadra dhe loja janë gjërat më të rëndësishme tani. Gjithmonë kam ndier besim nga klubi në punën time. Nuk dua të justifikohem për momentin, dua të trajtoj atë që po përjetojmë duke punuar dhe duke folur me lojtarët. Ndjej se ekipi po rritet çdo ditë, duhet të kemi vazhdimësi. Na duhet kohë, po punojmë për të parë ku skuadra mund të përmirësohet.

Çdo ndeshje kemi strategji të ndryshme. Ne përballemi me një ekip shumë të fortë dhe kemi strategjinë tonë. Një gjë nuk duhet ta bëjmë: t’i falim topin kundërshtarit. Ne duam ta mbajmë atë dhe të dominojmë ndeshjen kur të mundemi.”, deklaroi Fonseca.

Derbi Inter-Milan, është planifikuar të luhet ditën e diel, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al