“For Her” Edicioni i ‘PriFest’ i kushtohet këtë vit Vjosa Berishës





“For Her” Edicioni i ‘PriFest’ i kushtohet këtë vit Vjosa Berishës

11:27 21/09/2022

Veliaj: I premtova që do të merrja pjesë!

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Prishtina International Film Festival” (PriFest) ka hapur mbrëmjen e djeshme edicionin e 14-të të tij në Kino Armata në Prishtinë. Hapjes së këtij edicioni i parapriu një performancë artistike dedikuar themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila u nda nga jeta në qershor të këtij viti.

Në çeljen e këtij festivali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi kontributin e themelueses së “PriFest”-it Vjosa Berisha.

“Unë besoj që sot është një ditë e madhe reflektimi për ne. Mbaj mend vjet në edicionin e fundit, isha rastësisht në Prishtinë, shoqja ime e ngushtë Vlora Çitaku, më thotë, “do t’i bëjmë një surprizë Vjosës, sepse është festivali”, edhe i premtova: “Vjosë, – i thashë, – një gjë kaq e bukur, nuk mund të ndodhë pa u përfshirë Tirana. Kështu që sot jam këtu që të mbaj fjalën që i dhashë Vjosës, që ne do të përfshiheshim në edicionin e radhës dhe besoj që në vitin kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë nuk mund të mos mungonim, sepse unë besoj fort që ajo që është një histori suksesi në Prishtinë, është edhe suksesi ynë në Tiranë dhe ajo që është një gjë e bukur në Tiranë, është edhe suksesi i Prishtinës,” u shpreh Veliaj.

Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe një program special i festivalit të filmit të Odesës (Odesa International Film Festival).

Vjosa do ishte shumë krenare sot që Ukraina është prezente, që Odesa është këtu prezente. Ndonjëherë e marrim njëri – tjetrin për të mirëqenë. Ne i marrim fqinjët për të mirëqenë dhe ndonjëherë harrojmë që fqinjët jemi po ne vetë, Shqipëria dhe Kosova, jemi ne vetë. Pyesni dikë në Ukrainë: A mund t’i marrësh “for granted” fqinjët?” Ata kanë fqinj Rusinë që një ditë zgjohet dhe i pushton. Nuk duhet ta marrim njëri – tjetrin për të mirëqenë, sikur edhe ky leksion që ndodhi në Ukrainë, duhet ta çmojmë shumë njëri – tjetrin dhe ta duam shumë njëri – tjetrin, mos të gjemë arsye për t’u përçarë, por të gjejmë arsye për t’u bashkuar,” nënvizoi Veliaj.

Nuk kam si me e nis këtë fjalë ndryshe, përveçse duke kujtuar miken tonë të dashur, Vjosa Berishën, gruan e jashtëzakonshme që krijoi e zhvilloi dhe e rriti PriFilm Fest, këtë festival të mrekullueshëm të filmit që na e nderon kryeqytetin tash e 14 edicione. Përgjatë edicioneve të mëparshme PriFilm Fest na ka sjellë filmat më cilësorë nga vende të ndryshme, si dhe kineastë, regjisorë e aktorë të famshëm nga vende si Amerika, Australia Britania, e po ashtu nga rajoni ynë. Sivjet po me nismën e Vjosës PriFilm shkon edhe një hap tutje, me Festivalin ndërkombëtar nga Odesa me moton “Përtej Kufijve, Odesa në PriFest”, për shkak të luftës absurde në Ukrainë, po e hap edicionin e vet këtu në Prishtinë në bashkëorganizim me PriFilm Fest. Miq të dashur të Ukrainës, këtu në Prishtinë jeni në shtëpinë tuaj,” u shpreh kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama.

Dhjetëra filma shqiptarë dhe të huaj do të shfaqen në disa kategori garuese të këtij festivali që u çel mbrëmë me filmin “Vera andrron detin”.

Me moton “For Her”, ky edicioni i kushtohet themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berishës. Kurse, çmimi kryesor i festivalit “Hyjnesha e kuqe për filmin më të mirë Ballkanik”, nga ky vit do të mbajë emrin Vjosa Berisha./tvklan.al













Të ngjashme