Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në një postim në Twitter shkruan se,

operacioni “Forca e Ligjit” ka zhvilluar një goditje ndëshkuese njëkohësisht në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam (Holandë), me disa të arrestuar për një nga grupet kriminale më të rrezikshëm në veri të vendit.

Ministri njofton se detaje nga ky operacion do të jepen sot në 10.00, në Policinë e Shtetit.

Një tjetër super-aksion policor në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” nga ana e Task Forcës Speciale Qendrore së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Pasditen e së premtes u arrestua Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës. Ai u prangos  në Tiranë në një magazinë afër zonës së “Xhamllikut”.

Tvklan.al

 solli momentet kur Safet Bajri (Rustemi) mbërriti në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

34-vjeçari mbërriti nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Safet Bajri në listën e më të kërkuarve në Belgjikë

Safet Bajri (Rustemi) është në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet belge, ndërsa mediat atje e kanë konsideruar si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.

Ai është dënuar më 25 Janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg. Kjo organizatë është përgjegjëse gjithashtu për shkatërrim të pronës, përdorim të armëve të zjarrit, tentativë vrasje, zhvatje e trafik të qenieve njerëzore me qëllim prostitucionin

.

Mbi Rustemin rëndon edhe një dënim tjetër i 22 Shkurtit 2014. Gjykata Penale e Brukselit e dënoi me 9 vite burgim si kreu i një organizate kriminale për trafik droge dhe 5 vite të tjera për posedim e trafik droge dhe heqje të paligjshme të lirisë e kërcënime me vdekje

.

/tvklan.al