Një ditë pas operacioneve të Policisë së Shtetit në Shkodër janë vënë në pranga 4 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Në pranga kanë përfunduar, Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, Emrah Plaku, 22 vjeç, Astmer Bilali, 29 vjeç dhe Erogen Brajoviç, 36 vjeç, të gjithë banues në Shkodër. Në një deklaratë për mediat zv/drejtorja e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, teksa bëri bilancin e operacionit u shpreh se janë ushtruar kontrolle në 20 banesa e lokale tregtare të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale.

Ndërkohë sipas policisë të arrestuarit janë anëtarë të grupeve kriminale aktive në qytetin e Shkodrës, por edhe me gjerë. Operacioni “Forca e Ligjit” ka nisur prej orës 2 e 30 minuta të mëngjesit të së mërkurës dhe gjatë  kontrolleve të uniformave blu  janë gjetur dhe sekuestruar 2 kallashnikovë, 1 pistoletë, 6 mjete të blinduara, rreth 800 fishekë, 1 armë e ftohtë, shuma prej 10.500 euro, 3 makina lojërash fati si dhe 2 veshje antiplumb.

Në dy muajt e fundit, Shkodra është tronditur nga disa vrasjeve mafioze ku shumica e tyre janë ende pa autor. Prej 18 Qershorit, në Shkodër kanë ndodhur 5 vrasje të tipit mafioz, Mehdi Kavaja u ekzekutua me një plumb në kokë në servisin e tij. Në 15 Korrik ish-oficeri i policisë, Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndocaj u ekzekutuan në makinën e tyre dhe në mjet ndodhej dhe fëmija i tyre 1-vjeçar.

Në 10 Gusht në Kiras u vra me breshëri kallashnikovi teksa qëndronte në lokal, Fatbardh Lici. Në 23 Gusht në Dobraç u zhdukën dajë e nip,  Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj. Ndërsa ngjarja e fundit ka ndodhur më  1 Shtator, ku Arian Ferracaku u vra me një breshëri kallashnikovi, ndërsa autorët nuk janë identifikuar ende nga policia.

Tv Klan