Nga Kakavija do të kalojnë vetëm 400 persona në ditë

Greqia ka forcuar edhe më tej kushtet e lëvizjes nga Shqipëria drejt territorit të saj. Duke filluar nga e hëna e ardhshme deri në 15 Mars, shteti helen ka vendosur të aplikojë kushte të tjera për të gjithë ata shtetas që duan të hyjnë në Greqi nga pika kufitare e Kakavijës.

Lajmin e bëri të ditur Ministria jonë e Jashtme, e cilia informoi se më 1 Mars hyjnë në fuqi rregullat e reja të cilat përcaktojnë se pika kufitare do të jetë e hapur nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në vend të orës 23:00 që ishte deri tani.

Gjithashtu në kuadër të përforcimit të masave anticovid do të kufizohet më tej edhe numri i personave që futet çdo ditë, pasi nga 750 persona, do të lejohen vetëm 400.

Ndërkohë që ata që do të futen në Greqi do t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, nga i cili nuk do të përjashtohen edhe shoferët e kamionëve.

Të gjithë ata që do të testohen pozitiv, nuk do të lejohen të hyjnë në Greqi, ndërkohë që ata që hyjnë, do t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme 14-ditore, nga 7 ditë që ishte deri më tani.

Ndërkohë që pikat e tjera kufitare me Greqinë do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur gjithashtu se pikat e Kalimit në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi vijojnë të jenë të hapura dhe shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë drejt këtyre vendeve, pa pasur nevojë për PCR test negativë dhe pa iu nënshtruar masave të izolimit.

Tv Klan