Ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit kanë propozuar një formulë të re për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Sipas një zyrtari palestinez, ai parashikon një armëpushim që zgjat nga pesë deri në shtatë vjet, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, një fund formal të luftës dhe një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.
Një delegacion i lartë i Hamasit do të mbërrijë në Kajro për konsultime. Hamasi do të përfaqësohet nga kreu i këshillit politik të tij, Mohammed Darwish dhe negociatori kryesor i tij Khalil al-Hayya.
Kjo vjen disa ditë pasi Hamasi hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit, i cili përfshinte një kërkesë për grupin militant që të çarmatoset në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor.
Zyrtari palestinez i tha BBC-së se Hamasi ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për t’ia dorëzuar qeverisjen e Gazës çdo entiteti palestinez për të cilin është rënë dakord “në nivel kombëtar dhe rajonal”.
Ai thotë se ky mund të jetë Autoriteti Palestinez (PA) me bazë në Bregun Perëndimor ose një organ administrativ i sapoformuar.
Netanyahu ka përjashtuar çdo rol të Autoritetit Palestinez në qeverisjen e ardhshme të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi që nga viti 2007.
Ndërkaq në enklavë, forcat izraelite vazhdojnë të bombardojnë Gazën, duke shkaktuar viktima.
Tv Klan