Kjo ka qenë periudhë e ngarkuar për ekspertët e duhanit. Në një javë intensive ekspertë të duhanpirjes, shkencës dhe teknologjisë trajtuan qasjet për menaxhimin e problemit të duhanpirjes. Momentalisht janë rreth 1.1 miliardë duhanpirës të rritur në botë. Emergjenca për të trajtuar këtë shqetësim global, bën thirrje për një bashkëpunim më serioz për të arritur objektivin përfundimtar, një të ardhme pa tym. 

Këtë mesazh dha edhe kërkuesi shkencor i mirënjohur, Konstantinos Farsalinos, i cili i ka dedikuar dekada problemit të duhanpirjes. Gjatë Forumit Global mbi Nikotinën, Farsalinos si rallë herë iu drejtua organizatave dhe institucioneve shtetërore për një partneritet me shkencën. 

Sipas mendimit të ekspertit “strategjisë për menaxhimin e problemit të duhanpirjes i ka kaluar koha, ndaj dhe trajtimet që ajo sugjeron duhen rinovuar me mjetet që shkenca ka arritur të krijojë vitet e fundit”. Deri më tani, në shumicën e vendeve, ekspertët e shëndetit publik sugjerojnë vetëm lënien e cigares për duhanpirësit e rritur. Duke konsideruar vetëm këtë hapësirë, edhe mjekët nuk mund të kenë alternativa për të trajtuar rastet e shumta që ndjekin. “Konventa e Kontrollit të Produkteve të Duhanit përmend reduktimin e dëmit nga këto produkte si pjesë e planit për të menaxhuar problemin me duhanpirjen, por implementimi i saj nga Organizata Botërore e Shëndetit ka qenë minimal, përveç disa shkencëtarëve të pavarur apo organizatave si Shëndeti Publik në Britaninë e Madhe, të cilët kanë vepruar me hapat e kohës ku jetojmë”, kështu u shpreh eksperti Farsalinos. 

Sipas tij “ky qëndrim i këtyre organizatave dhe institucioneve, krijon një ngerç në zgjidhjen afatgjatë të duahanpirjes”. Shumë nga këta shkencëtarë apo organizata janë shkëputur nga linja tradicionale për të siguruar një qasje më teknologjike dhe të bazuar në shkencë për qytetarët duhanpirës. Ky grup, i cili po zgjerohet çdo vit, konsideron si parësore fuqizimin e individëve që të kenë kontroll mbi cfarë ndikon tek shëndeti i tyre. Një e drejtë pjesë e paketës e të drejtave të njeriut. Pra, duke u mundësuar qytetarëve duhapirës informacion konkret lidhur me problematikat e tymosjes së cigareve, por edhe lidhur me teknikat dhe alternativat të cilat ndihmojnë që ata të përmirësojnë shëndetitn e tyre, objektivi i menaxhimit të duhanpirjes mund të arrihet më lehtësisht, sesa vetëm t’u ofrohet opsioni i lënies direkte të cigares. 

Që të arrihet kjo pikë kyçe, eksperti Farsalinos përmbylli fjalën e tij me një thirrje për të gjithë palët e përfshira në menaxhimin e duhanpirjes duke i kujtuar se “është koha për bashkëpunim në të gjithë nivelet në mënyrë që të sigurojmë trajtime bashkëkohore dhe që japin rezultat në uljen e prevalencës së konsumimit të duhanit”.