“Shqipëria me Izraelin, por të shmangen viktimat civile”
Konflikti mes Izarelit dhe Hamasit pritet të jetë në fokus edhe të Forumit të Gjashtë të Paqes që do të mbahet në Paris në 10 dhe 11 Nëntor.
Në vigjilje të tij, Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një deklaratë ku shpreh shqetësimin e Shqipërisë për ashpërsimin e konfliktit.
Rama thotë se “Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit, por jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”.
Rama njofton se “në Paris do t’i kërkojë Presidentit Macron që në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi”.
Për kreun e qeverisë shqiptare, ripushtimi i Gazës është i papranueshëm dhe me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza.
Rama propozon që nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez.
Tv Klan