Mbahet për herë të parë në Tiranë, Forumi Ndërkombëtar i Arkitektëve dhe Inxhinierëve. Ndërsa renditi disa prej investime më të rëndësishme në kryeqytet, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se do të vijojnë projektet për transformimin e Tiranës.

“Tirana e Re në vitet e ardhshme do të jetë në anën tjetër, atje ku ndodhet Bulevardi i Ri. Kemi bërë sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, dy projekte që janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Por, pyetja është: Cila është sfida më e vështirë arkitekturore? Për mua, nuk është infrastruktura masive, por 10 centimetrat në kokën tonë. Kjo është hapësira më e vështirë, që duhet të ndryshojmë. Shumë prej nesh e mendojnë transformimin vetëm në termat e elementëve të hapësirës fizike, ndërkohë që duhet të ndryshohet mentaliteti”.

Veliaj u ndal dhe tek debatet për projektet transformuese, për të cilat tha se në fund ato shndërrohen në histori suksesi.

“Është e shëndetshme të kesh një debat për propozimin e Bjarke Ingels për teatrin. Është e shëndetshme të kesh një debat për projektin thuajse të përfunduar të Casamontit për Stadiumin. Është e shëndetshme të kesh një debat për Pyllin Orbital të Stefano Boerit, për të parë se cila është mënyra më e mirë për të ecur përpara”.

“Share Architects” është një forum ndërkombëtar që mbledh arkitektët dhe inxhinierët më të njohur në diskutime, projekte dhe idetë më të fundit në këtë fushë.

Tv Klan