Sipas një studimi të realizuar kohët e fundit është mësuar se të sapolindurit mund të arrijnë të kuptojnë ndryshimet gjuhësore që në orët e para të jetës.

Ne përgjithësisht mendojmë se foshnjet janë si “fletë të bardha”, mendojmë se kanë shumë pak mundësi të mësojnë gjatë javëve të para të jetës. Në të vërtetë foshnjet fillojnë ta kuptojnë gjuhën dhe të folurin shumë shpejt. Që kur janë ende në barkun e nënës bebet mësojnë të dallojnë zërat e po ashtu disa tinguj të të folurit dhe ende pa lindur arrijnë të dallojnë të folurin nga tingujt e zhurmave të tjera.

Është ende mister se si munden foshnjet të përpunojnë tingujt kompleksë të gjuhës. Në një studim të botuar në “Nature Human Behaviour” (Sjellja Natyrore e Njeriut) janë treguar detaje të këtij procesi shumë të shpejtë të nxënit që në orët e para të lindjes.

Për të bërë këtë studim, foshnjeve iu vendos koka në disa pajisje të sofistikuara të cilat lëshojnë dritë të krijuar për të matur ndryshimet e vogla në nivelet e oksigjenit në trurin e foshnjeve. Detektorët e pajisjeve të vendosura në kapuç përcaktonin se cilat zona të trurit ishin aktive me kalimin e kohës.

Kjo procedurë, e cila ishte plotësisht e sigurt dhe nuk shkaktonte asnjë dhimbje te foshnjet, u realizua në tre orët e para të jetës së tyre. Në këtë procedurë kërkohej vetëm që foshnjeve t’u vendosej në kokë një kapuç i vogël elastik me drita të vogla me infra të kuqe.

Kjo procedurë ngjason më praktikën e zakonshme në shumë vende për të mbështjellë të porsalindurit me shtresa të ngushta, apo siç njihet në kulturën tonë “mbështjellja kopanec”, e cila bëhet për t’i ndihmuar foshnjet të përshtaten dhe i lehtëson atyre kalimin nga rehatia e mitrës në botën e egër të ekzistencës fizike autonome.

Brenda tre orëve nga lindja, të gjitha foshnjet u ekspozuan ndaj çifteve të tingujve që shumica e studiuesve do të parashikonin se duhet të ishin në gjendje t’i dallonin. Dhe të njëjtin grup tingujsh foshnjet e dëgjuan edhe mbrapsht. Zakonisht, e folura në të kundërt është shumë ndryshe nga e folura normale, por në rastin e zanoreve të izoluara, ndryshimi është delikat.

Të porsalindurit nuk arritën të bëjnë dallimin midis zanoreve të përparme dhe të prapme menjëherë pas lindjes, por pasi i dëgjuan këto tinguj për pesë orë, të porsalindurit filluan të bëjnë dallimin midis tyre. Fillimisht ata filluan të njihnin zanoret e përparme. Dhe pas dy orësh të tjera, gjatë të cilave ata kryesisht flinin, truri i tyre iu përgjigj zanoreve të prapme jo vetëm më shpejt, por edhe më fort krahasuar me foshnjet e stërvitura me zanore të ndryshme ose foshnjet që mbetën në heshtje.

Kjo tregon se që në ditën e parë të lindjes, foshnja fillon të mësojë të dallojë tingujt natyral të të folurit dhe të atyre që janë paksa të panatyrshëm. Sado e pabesueshme duket, tashmë është e vërtetuar se foshnjet na kuptojnë ndaj edhe këshillohet që nënat të fillojnë të flasin me foshnjet e tyre që në muajt e shtatzënisë./tvklan.al