Policia ka arrestuar dy autorët e vrasjes së mbrëmjes së të martës në Durrës. Në pranga kanë rënë Gëzim Kajno 39 – vjeçari, që shihni në këtë foto të siguruar nga Televizioni Klan dhe nipi i tij, Bledar Kajno, 31 – vjeç.

Ata akuzohen për vrasjen e Asllan Kërtusha, 30 – vjeçarit, që shihni në këtë foto.

Sipas policisë viktima, Asllan Kërtusha nën efektin e alkoolit, ka ngacmuar klientët dhe në këto çaste kamarierët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajno, i cili bashkë me nipin e tij, Bledar Kajno, i ka kërkuar 30 – vjeçarit të dalë nga lokali.

Ky ka qenë dhe momenti kur konflikti verbal ka degjeneruar në dhunë dhe në përdorimin e armës, pasi Kërtusha ka refuzuar, sipas policisë, të dalë nga lokali.

Sherri mes tyre ka vazhduar në ambientet e jashtme, ku Gëzim Kajno ka goditur me qytën e pistoletës në kokë Asllan Kërtushën. Arma ka qënë e mbushur dhe ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, ku për pasojë është plagosur në krah nipi i tij, Bledar Kajno.

Më pas, Gëzim Kajno ka qëlluar Kërtushën, i cili nga plagët e marra, ka ndërruar jetë pak minuta më vonë, në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja si dhe tre fishekë pistolete. Policia bën me dije se viktima Asllan Kërtusha, ishte person me precedentë penalë dhe lidhje e ngushtë e Denis Shtrazës, njërit prej të akuzuarve për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut.

Njëri prej autorëve, Bledar Kajno është vënë në pranga gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mbi të rëndon akuza e vrasjes me dashje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Tv Klan