Këto foto i përkasin një prej plantacioneve të mbyllura të kultivimit e përpunimit të kanabisit, të zbuluar dy ditë më parë nga policia britanike në Gloucester, një qytet në zemër të Anglisë.

Ajo është një prej 6 banesave që u bastisën nga një grup prej 50 oficerësh, të cilët zbuluan drogë me vlerë 750 mijë paund dhe arrestuan 10 persona nëpër Gloucestershire. 

Tetë nga të arrestuarit janë shqiptarë. Ata janë Kreshnik Muja, Dritan Muhametaj, Gurgen Nikoçi, Bardhyl Arifaj, Ardit Agaj, Aranit Kasaheri, Elis Gashi dhe Jeton Muja.

Operacionet e zhvilluara të mërkurën dhe të enjten ishin pjesë e operacionit Cleveland, që nisi pas të dhënave që autoritetet britanike morën për banda të krimit të organizuar që operonin në vend.

Operacioni është filmuar nga punonjësit e policisë britanike nëpërmjet kamerave të trupit, të cilat tregojnë edhe dhoma e kapanone, të cilat ishin përshtatur për kultivim me llampa ngrohëse.

Oficerët kanë treguar se e kanë ndjerë erën e fortë të lëndës narkotike sapo kanë hyrë në dhomat e kapanonit. Ato ishin thuajse të gjitha të mbushuara me lëndë narkotike të grirë, apo të kultivuar.

Mediat britanike shkruajnë se oficerët e policisë kanë gjetur thasë të tërë me kanabis të amballazhuar gati për shitje./Tv Klan