Ky është Everest Çaka, 41-vjeçari i cili mbrëmjen e kësaj të marte u ekzekutua me armë zjarri në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi në lagjen Skënderbej, gjatë kohës që viktima ndodhej në automjet me bashkëshorten e tij Silvana Çaka.

Kjo e fundit mori një plagë në dorë dhe u transportua në spital. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por e tronditur nga ngjarja e rëndë.

Everest Çaka, njihej edhe me emrin Ibrahim Çaka. Çifti Çaka mësohet se jetonin në Spanjë dhe sapo ishin kthyer në Elbasan.

Paraprakisht dyshohet se shkak për atentatin kanë qenë larja e hesapeve. Kjo pasi Ibrahim Çaka ka qenë i akuzuar për ekzekutimin e Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në vitin 2010. Saga e vrasjeve ka nisur rreth 13 vite më parë, pasi Everest Çakës i kanë vrarë një vëlla në Barcelonë ndërsa si i përfshirë direkt u akuzua Gëzim Alikaj.

Ndërkohë një vit më parë, në Bruksel persona të paidentifikuar ekzekutuan djalin e tezes së 41-vjeçarit, Arjan Spahiun. Ky i fundit duket të ketë lidhje edhe me grupin e Alibejve. Erion Alibej është i arrestuar tashmë si porositës i disa atentateve në Elbasan. Ai dyshohet se është organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura në 2020-n.

Sa i përket autorëve të atentatit të kësaj të marte, identiteti i tyre mbetet i panjohur./tvklan.al