Më 8 Qershor, në qytetin e Elbasanit u realizua një atentat me snajper, ku mbeti i plagosur Ardian Çapja. Qitësi u arratis fillimisht me një automjet tip “Volkswagen Sharan” dhe mjeti u gjet i djegur në periferi të qytetit. Në këtë atentat, autorët përdorën edhe një automjet të dytë për t’u arratisur pas djegies së automjetit të parë.

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka siguruar ekskluzivisht foton e automjetit të dytë që shfaqet në rrugët e qytetit të Elbasanit. Bëhet fjalë për një makinë tip “Volkswagen Golf” me xhama të zinj, që është filmuar nga kamerat e sigurisë në një segment rrugor. Sipas informacioneve policore, dyshohet se ky mjet ka targa të falsifikuara.

Në atentatin me snajper ndaj Ardian Çapjas, qitësi qëlloi nga një distancë 350 metra në vijë ajrore. 55-vjeçari Çapja mbeti i plagosur nga ky atentat dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Familja Çapja e ka mohuar që ndaj familjarit të tyre të jetë bërë atentat, duke thënë se Ardian Çapja u rrëzua në shtëpinë e tij dhe ju ngul në trup një shufër hekuri. Por hetimet e policisë kanë treguar të kundërtën.

Foto: Makina e dytë e autorëve që qëlluan me snajper ndaj Ardian Çapjas

Grupi hetimor ka zbuluar gjithashtu se autorët që i bënë atentat Ardian Çapjas kanë qenë të pajisur me maska anti-covid. Nga burimet hetimore është bërë e ditur se snajperi i pajisur me silenciator ishte model zviceran “Burger and Thomet APR”.  Për më shumë ndiqni videon e emisionit “Uniko”. /klanplus