Një djalë i ri shqiptar është vrarë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas mediave amerikane, viktima është Grei Frashëri 23 vjeç. Ai u gjet i vdekur në një rrugë në Bruklin mbrëmjen e së premtes, ndërsa lajmi është bërë i ditur sot.

“Ai ishte gjithmonë një mbështetje për miqtë e tij, i buzëqeshur dhe i kujdesshëm”,

shkruan në Facebook Rifat Sokoli, kushëriri i viktimës.

23-vjeçari ishte emigrant në SHBA. Autoritetet amerikane nuk e dinë ende shkakun e vrasjes së të riut shqiptar, apo nëse e ka nxjerrë dikush në pritë.

Nuk ka informacione as nëse Grei Frashëri kishte konflikte të hapura. Policia është duke hetuar për të zbardhur këtë krim. Kur autoritetet shkuan në vendngjarje, tre makina u larguan me shpejtësi.

Në internet është hapur një faqe nga kushëriri i tij Rifat Sokoli, ku janë shprehur ngushëllimet për 23-vjeçarin shqiptar, si dhe kërkohet ndihmë nga kushdo që mund të ketë dijeni rreth vrasësit dhe çfarë ka ndodhur të premten e 7 Shtatorit.

“Sot kam humbur një pjesë nga vetja që nuk do të më kthehet kurrë më. Kemi humbur një dritë të shndritshme dhe një njeri që ishte gjithmonë aty për këdo. Njeriun me zemrëm më të mirë dhe buzëqeshjen më të madhe. Sot kemi humbur një pjesë të familjes sonë. Sot, një nënë, baba, motër, vëllezër, hallë e xhaxhallarë, familje dhe miq, humbën dikë shumë të veçantë. Por sot, ne të gjithë fituam një engjëll. Fituam një shpresë në jetën tonë. Sot ne festojmë për një engjëll të dërguar nga Zoti. Sot ne mësuam që dashuria është vetëmohuese.

Dhe sot ne të falenderojmë për të gjithë kujtimet e bukura që na ke dhuruar. Sot familja ime dhe unë mbajmë zi për humbjen tragjike të Grei Frashërit. Sot ne kujtojmë historitë dhe kujtimet. Sot do të ngremë dolli për ndikimin që ke patur në jetët tona. Sonte, shkëlqen në qiell duke na parë. Faleminderit Grei që ishe pjesa më e bukur e jetës sime. U prefsh në paqe”

. Është ky mesazhi i ngushëllimit i shkruar në faqen online të hapur në respekt të 23-vjeçarit shqiptar.

Grei Frashëri do të përcillet për në banesën e fundit ditën e mërkurë më 12 Shtator, nga familjarët, të afërmit, miqtë dhe të dashurit. 

/tvklan.al