TIRANË| Ky që shihni në këtë foto është Mexhit Picari, personi i cili mesditën e kësaj të premteje vrau me armë zjarri ish-dhëndrin Kudret Saliaj dhe plagosi avokatin e tij Adriatik Cama.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës, aty ku viktima dhe i plagosuri po pinin kafe.

Ish-dhëndri dhe vajza e Picarit, prindër të 3 fëmijëve ishin në proces divorci që prej Dhjetorit të vitit 2020. Këtë të premte në orën 12:00 zhvillohej seanca e radhës.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë Mexhit Picari u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar nga policia e Tiranës pak kohë më vonë.

“Si rezultat i kontrolleve të shpejta u bë e mundur kapja e autorit dhe shoqërimi i tij në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Për hollësi të tjera do t’ju njoftojmë më pas. Autori ka pasur një proces të gjatë divorci me bashkëshorten e saj. Bashkëshortja e vet ka qenë e arrestuar për probleme të dhunës në familje, kështu që po bëheshin seancat për divorc, në këto kushte babai i vajzës ka vrarë ish-dhëndrin e vet. Gjatë kësaj ngjarjeje është plagosur edhe avokati i cili ishte në tavolinë bashkë me viktimën”, tha kreu i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj në një prononcim për gazetarët nga vendi i ngjarjes. /tvklan.al