Tvklan.al

ka siguruar fotot e dy të rinjve që humbën jetën në aksidentin e rëndë mbrëmë në fshatin Arapaj të Roskovecit në Fier.

Dy kushërinjtë Amarildo Dogani 24 vjeç dhe Festim Dogani 29 vjeç u përplasën për vdekje nga një makinë teksa po ecnin në trotuar.

Automjeti që i aksidentoi humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë së lartë, doli nga rruga dhe mori përpara dy djemtë e xhaxhallarëve. Bashkë me dy viktimat, në trotuar po ecte dhe kushëriri i tyre i tretë, i cili fatmirësisht mbeti i plagosur lehtë.

Banorët e zonës thanë për mediat se rruga është e rrezikshme pasi nuk ka ndriçim. Festim dhe Armarildo Doganit do t’u jepet lamtumira e fundit ditën e sotme nga familjarët dhe miqtë.

Drejtuesi i mjetit, 21-vjeçari Amarildo Çalameni u largua nga vendngjarja, por  u arrestua pak minuta më vonë. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Tvklan.al mësoi se 21-vjeçari është një shofer problematik. Amarildo Çalameni 21 vjeç rezulton të jetë gjobitur disa herë për shkelje të ndryshme administrative. Mësohet se ai është ndëshkuar 10 herë me gjobë, konkretisht: brenda vitit 2018 ka marrë 3 masa për parakalime të gabuara, 2 masa për përdorim celulari, 1 masë administrative për tejkalim shpejtësie me pezullim të lejes së drejtimit në vitin 2017, dhe një masë për mungesë kontrolli teknik./

tvklan.al