Personi që shihni në foto është Nikolin Marku (Lekstakaj) i cili u vra pasditen e sotme në Lezhë.

42 vjeçari u ekzekutua me armë zjarri rreth orës 18:30 të kësaj të Mërkure jashtë një marketi në Balldre, nga ku ai sapo kishte dalë. Vrasja ndodhi në sytë e shitëses së marketit. I njohur me nofkën “Toli”, Nikolini u qëllua për vdekje nga persona ende të pa identifikuar.

Dyshimet paraprake janë se vrasja e Lekstakajt, i cili e kishte ndryshuar mbiemrin në Marku në vitin 2013, vjen si pasojë e gjakmarrjes mes dy fiseve Lekstakaj e Nikulaj. Historia e gjakmarrjes mes fiseve Lekstakaj e Nikulaj nisi në vitin 1997, ku një borxh prej 5 mijë lekësh të vjetra i marrë nga viktima e sotme Nikolin Lekstakaj, në një pikë karburanti, u bë shkak për një histori 26-vjeçare gjakmarrjeje mes palëve, me disa viktima.

I fundit që u ekzekutua pikërisht si pasojë e kësaj hasmërie ishte biznesmeni Ardian Nikulaj. Ai u vra në lokalin e tij në Shëngjin të Lezhës më 19 Prill. Për këtë ngjarje, autoritetet thonë se porositës ishte Edmond Haxhia, nip i Lekstakajve./tvklan.al