Tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut janë në pikën më kritike, në një kohë kur të dyja vendet kërcënojnë me luftë.

Por, ekziston një person që mund të jetë më i rrezikshëm nga sa duket. Ai shfaqet gjithmonë duke buzëqeshur dhe duke bërë shaka me vartësit, por është më i rrezikshëm nga sa tregon pamja e tij e jashtme.

Gjenerali Kim Rak-gyom është “hija” e diktatorit koreano-verior Kim Jong Un, shkruan “Daily Mail”. Sipas tabloidit britanik, ai është shefi i komandës raketore të Koresë së Veriut dhe besohet të jetë përgjegjësi për lëshimin e raketave balistike, vetëm duke shtypur “butonin”.

Që prej vitit 2012, Gjenerali Kim Rak-gyom drejton komandën raketore dhe gjithmonë shfaqet prapa krahëve të Kim Jong Un gjatë testimit të raketave balistike.

Deklaratën e Presidentit Trump që kërcënoi Korenë Veriore me “zjarr dhe tërbim”, Kim Rak-gyom e cilësoi si të pakuptimtë. Ai tha se Korea e Veriut planifikon të lëshojë 4 raketa në të njëjtën kohë në ishullin Guam (territor i SHBA), që do të duhet ekzaktësisht 17 minuta e 45 sekonda për ta goditur. Gjenerali Kim Rak-guom shihet shpesh në fotot e shpërndara nga regjimi diktatorial kur Kim Jong Un teston raketat, por për të dihet shumë pak.

Korea e Veriut ka deklaruar se është duke përgatitur planin për të goditur ishullin Guam ku ndodhet një bazë ushtarake e SHBA, dhe kjo gjë, sipas shtetit komunist, do të ndodhë në mes të gushtit.

/tvklan.al