Foto-lajm| Kurti dhe Vuçiç në një tavolinë në Bruksel




Foto-lajm| Kurti dhe Vuçiç në një tavolinë në Bruksel

11:38 15/06/2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar këtë të martë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të zhvilluar raundin e ri të bisedimeve ndërmjet dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Siç duket edhe në foto, të bërë publike në media, Kurti dhe Vuçiç janë në të njëjtën tavolinë, ballë për ballë. Mes tyre janë i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Sebi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Ky është takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç. Para takimit mes të gjitha palëve, Borrell dhe Lajçak janë takuar ndarasi me Kurtin dhe me Vuçiçin.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet evropiane. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë./tvklan.al





Të ngjashme