Zjarri masiv në qytetin Mcmurray, në Kanada, mund të dyfishojë përmasat e tij në 24 orët e ardhshme. Alarmi vjen nga zyrtarët kanadezë, të cilët thanë se flakët po përhapen shumë shpejt edhe në sajë të erërave të forta dhe nuk ka kohë për të humbur për banorët e qytetit të shkrumbuar.

Sipas mediave të huaja, diametri i zjarrit momentalisht është më i madh se Nju Jorku. Kryeministri kanadez Xhastin Trydo tha se flakët kanë arritur në 1000 km katror dhe se po punohet nga afër me autoritetet rajonale për shuarjen e flakëve.

Prej 4 ditësh ekipet e emergjencave janë angazhuar në evakuimin e njerëzve nga toka dhe nga ajri, ndërsa me rrezik të lartë konsiderohen fushat e përpunimit të naftës që ndodhen në zonë.

Rreth 88 mijë persona janë evakuuar nga Fort McMurray, ndërsa më shumë se 1600 shtëpi janë shkrumbuar.

Dëmi i llogaritur deri tani i kalon qindra miliona dollarë kanadezë.

Tv Klan