4 ton kanabis janë sekuestruar në Itali gjatë një operacioni antidrogë, ku u përfshi edhe policia shqiptare. Sasia rekord e lëndës narkotike u kap në një jaht me flamur amerikan. Në pranga janë vënë tre shqiptarë me inicialet F.M, E.V dhe E.M.

Tv Klan mëson se dy prej tyre janë banues në Durrës dhe një tjetër në Tiranë dhe i përkasin moshës 54, 28 dhe 26 vjeç.

Policia Shqiptare ka bërë publike disa detaje të operacionit, duke sqaruar se ndalimi i mjetit lundrues është bërë në zonën e Viestes dhe nga të dhënat, ai nuk ka hyrë në territorin shqiptar.

Burime nga grupi hetimor sqaruan për Tv Klan se 3 të arrestuarit kanë hyrë në Malin e Zi nga Shqipëria, ditën e hënë. Droga dyshohet se është nisur nga bregdeti malazez ndërsa jahti është marrë me qera nga 3 personat e prangosur.

Autoritet shqiptare nuk japin të detaje të tjera nga hetimi për shkak të sekretit hetimor. Nuk sqarohet se cila është origjina e 4 tonëve kanabis dhe ku është ngarkuar ai.

Këto të dhëna pritet të zbardhen pas marrjes në pyetje të tre shqiptarëve dhe pas shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.

Ky është rasti i dytë i zbulimit të trafikut të drogës me jahte luksi.

Një muaj më parë në ishullin Kithira të Greqisë u kap një jaht me rreth 2 tonë marijuanë. Ai ishte nisur nga Napoli ndërsa në pranga u vunë një shqiptar dhe një italian. Dyshimet ishin se jahti luksoz kishte bërë një ndalesë në brigjet shqiptare, ku ishte furnizuar me drogën që kishte destinacion ishujt e Egjeut.

Tv Klan