“Foto që e pagoi shtrenjtë Anton Harapi”, Lame: Ne ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq


“Foto që e pagoi shtrenjtë Anton Harapi”, Lame: Ne ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq

22:50 29/11/2022

Historiani Artan Lame, i ftuar në studion e Opinion në Tv Klan ka sjellë në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama gjatë seancës së përbashkët Shqipëri-Kosovë që u mbajt në Kuvendin e Shqipërisë të dielën e shkuar në kuadër të 110-vjetrorit të Pavarësisë.

“Nuk po shtyhem më tutje me këtë fill tragjik të fundjetës të firmëtarëve të pavarësisë që nga Luigj Gurakuqi i cili edhe pse qe në fakt ndër shumë të paktët që më vonë u nderuan, pasi u vra si tradhtar po nga dora e shqiptareve, ‘syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur, ky vigan liberator”, thotë Fan Noli në një poezi të jashtëzakonshme për Luigj Gurakuqin dhe deri tek Mit’hat Frashëri me të cilin ende sot, tani që flasim shumëkush nuk arrin dot të bëjë paqe këtu në Shqipëri të paktën, për t’i dhënë Çezarit atë që është e Çezarit dhe për t’i lënë Zotit atë që është e Zotit”, deklaroi Kryeministri Rama në seancën e përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Historiani Artan Lame e ka mbështetur argumentin e Kryeministrit Rama teksa ka thënë se pas më shumë se 70 vjetësh, ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq.

Artan Lame: Kjo është një foto që e pagoi shtrenjtë Patër Anton Harapi. Shteti i ri shqiptar u formua me logjikën që derisa pas luftës të vendoset se çfarë do të bëhet, do të kthehet Zogu apo se çfarëdo forme të marrë, atëherë u shpall një regjencë me 4 përfaqësues, nga 1 për çdo religjon. Aty është Mehdi Frashëri me Patër Anton Harapin dhe madje këtu kujtoj diskutimin dhe të Kryeministrit Rama, në logjikën që pas 70 e sa vjetësh ne ende nuk kemi ndarë kush është i mirë dhe kush është i keq sepse nuk duam që ata njerëz ishin brenda asaj vorbulle dhe aq dinin dhe aq mundoheshin të bënin për këtë vend. Ishin 2 “dinosuarë gjigantë” që po luftonin dhe ti duhej të shpëtoje gjallë nga kjo. /tvklan.al









Të ngjashme