Një fotografi e babait dhe vajzës së vogël të mbytur në lum në kufirin Meksikë-SHBA, ka tronditur mbarë opinionin publik. Imazhet tronditëse janë publikuar nga CNN dhe janë një dëshmi rrënqethëse e asaj çka po ndodh me refugjatët që tentojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Oscar Alberto Martinez kishte kaluar lumin Rio Grande dhe ishte kthyer për të marrë gruan dhe vajzën e tij 2-vjeçare. Vajza e vogël Angie kërceu në trupin e të atit për të kaluar lumin bashkë me të. Por nuk mundën t’ia dilnin për shkak të rrymës së fortë. Gruaja, Tania, pa vajzën dhe bashkëshortin teksa po mbyteshin. Ngjarja ka ndodhur ditën e dielë. Trupat e tyre të pajetë u gjetën në anën meksikane të lumit Rio Grande. Historinë rrënqethëse e rrëfeu për gazetën meksikane “La Jornada”, e cila publikoi edhe fotografinë e rëndë, që më pas u botua edhe nga mediat amerikane e botërore.

Babai dhe vajza që humbën jetën në tentativë për të kaluar lumin, ishin nga El Salvador. Kjo foto është një dëshmi që tregon qartë se çfarë po ndodh në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, ku refugjatë të shumtë përpiqen të kalojnë kufirin për të hyrë në SHBA. Por, politikat bllokuese të shteteve kanë detyruar refugjatët që të gjejnë mënyra të rrezikshme për të hyrë në tokën amerikane. /tvklan.al