Ulërimat pushtuan Daytona Beach Boardwalk në Florida të enjten në mbrëmje, pasi një tren argëtues i parkut të lojërave doli nga shinat duke hedhur dy persona në tokë, nga 10 metra lartësi.

Shërbimet e zjarrfikëses shkuan me urgjencë në vendngjarje, për t’u ardhur në ndihmë shumë personave të tjerë që kishin ngecur në ajër.

10 persona u shpëtuan nga treni, pasi një prej vagonëve doli tërësisht nga platforma që e mbante në lartësi, ndërsa dy të tjerë mbetën pezull në ajër. 6 personat që ndodheshin brenda një prej mini vagonëve u dërguan me urgjencë në spital.

Dy prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën.

Treni, i përbërë me vagonë të ngjitur me njëri-tjetrin, u shkëput rreth orës 20:30. Ata që morën dëmtimet më të rënda ishin 4 personat e ulur në fillim, 2 prej të cilëve përfunduan në tokë, pasi nuk kishin ku kapeshin për të shpëtuar.

Dy persona të tjerë ngecën në ajër për më shumë se 30 minuta.

Sipas të përditshmes DailyMail, treni argëtues i quajtur Sandblaster është 40 vjeçar. Maja më e lartë e tij rreth 26 metra. Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi këtë incident të rëndë, ashtu sikurse edhe numri i saktë të plagosurve.

/tvklan.al