Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pasi një tërmet i fuqishëm goditi brigjet turke dhe greke pas mesnate, duke shkaktuar një cunami që goditi resortet turistike në detin Mesdhe dhe Egje.

Nuk dihet ende se sa ishte lartësia e dallgëve të cunamit që shkaktoi tërmeti i fuqishëm në Mesdhe, por uji ka dalë në breg duke përmbytur disa lagje resortesh, fundosur varka dhe zhvendosur dhjetëra makina.

Tërmeti i fortë, 6.7 ballë të shkallës Rihter e kishte epiqendrën 12 km në veri-lindje të ishullit grek të Kos-it, afër brigjeve turke. Sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan, tërmeti goditi në një thellësi prej 10 kilometrash.

Pas lëkundjes së parë të fortë rreth orës 01:30, u ndjenë edhe 40 lëkundje të tjera me magnitudë 3 deri 4.6 ballë.

Kjo ka bërë që shumë rezidentë në brigjet turke dhe greke, të mbipopulluara këto kohë nga turistët, të kalojnë natën jashtë.

Dy turistë, njëri turk e tjetri suedez, kanë humbur jetën dhe 100 të tjerë janë plagosur vetëm në ishullin grek të Kos-it, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur në brigjet turke.

Ndërkohë, rritja e nivelit të detit në Bodrum ka dëmtuar shumë anije dhe makina.

Burak Buz, nga Bodrumi tha se makina e tij ishte zhvendosur për rreth 100 metra dhe ishte dëmtuar ndjeshëm.

Të tjerë banorë raportuan mbytjen e varkave të tyre./tvklan.al

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”348″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]