Për herë të parë studiuesit marrin një imazh nga fusha magnetike e një vrime të zezë

Protagoniste është sërish vrima e zezë në galaktikën M87 që ndodhet 55 mln vjet dritë larg Tokës. Imazhi është arritur të kapet sërish nga Event Horizon Telescope EHT, që realizoi edhe foton e parë historike të një vrime të zezë në vitin 2019.

Imazhi i fushës magnetike, përreth saj, ndihmon të kuptohet më tepër mbi përhapjen dhe shpërndarjen e grimcave përtej galaktikës, dhe të kutpohet fizika e gjithë këtij entiteti.

Edhe në këtë rast, kërkuesit kanë punuar duke lidhur të gjithë teleskopet e botës, në mënyrë që të përftohej një teleskop virtual me dimensioned e Tokës. Gjithashtu janë përdorur edhe 66 antena të radioteleskopit Alma të Observatorit Evropian jugor, ESO.

Kërkuesit shpjegojnë se teleskopi virtual EHT bëri të mundur të përftohet një rezolucion ekuivalent me atë që është i nevojshëm për të dalluar nga Toka një objekt me dimensionet e kartës së kreditit në sipërfaqen e Hënës.

Kërkimi dhe fotoja janë publikuar në revistën shkencore Astrophysical Journal Letters, dhe në komunitetin shkencor botëror ky është një hap dhe arritje mjaft e rëndësishme.

Klan News