Kryeministri Edi Rama ka treguar fiksimin që ka në kokë që në momentin që ka marrë lidershipin e Partisë Socialiste, arsye për të cilën thotë se do mandatin e katërt.
Gjatë fjalës së tij në një bashkëbisedim “Sy m’Sy” me qytetarët, Rama thotë se fiksimi i tij është një fotografi me të cilën zgjohet dhe fle që do ta postojë në “Facebook” me mbishkrimin “Misioni u përmbush, përqafime të gjithëve”. Dhe kjo fotografi është pikërisht ajo ku do të jetë e shkruar “Albania” në tryezën e Bashkimit Evropian.
Edi Rama: Ne na duhet të arrijmë të vëmë emrin e Shqipërisë në tryezën e familjes së përbashkët evropiane, prandaj unë dua mandatin e katërt. Nuk kam asgjë në kokë përveç një fiksimi që e kam që ditën e parë duke sfiduar ish-kryetarin e PS-së dhe mikun tim, Fatos Nanon duke marrë lidershipin e PS-së, duke sfiduar bufin e kënetës dhe duke e lënë me kënetën e vet në mjerimin e vet pavarësisht të gjithë llumit, baltës dhe të gjithë poshtërsive që kam përjetuar, është vetëm një fotografi me të cilën zgjohem dhe fle, fotografi që dua ta postoj në FB duke ju thënë “misioni u përmbush përqafime të gjithëve”.
Fotoja ku do të jetë e shkruar Albania në tryezën e BE-së. Ku bijtë e shqipes nuk do të jetë më të paragjykuar nga askush. Kjo është arsyeja pse jam unë këtu dhe këto të tjera tërci dhe vërci nuk kanë lidhje me mua. Unë jam këtu vetëm me gozhdë në kokë. Ose e bëj unë me PS-në, ose kjo nuk do të bëhet. Kë do të çoni që të flasë e të ulet me ta? Kë do të çoni, bufin e kënetës?
/tvklan.al