Ndërsa garueset për Miss Universe 2017 mblidhen në Las Vegas, nuk është e çuditshme që shumë prej tyre të përfitojnë nga rasti për të bërë një foto së bashku.

Sidoqoftë, kur Miss Iraku, Sarah Eedan postoi një selfie me Miss Izraelin, Adar Gandelsman, kanë qenë të panumërta dhe të shumëllojshme reagimet nga publiku në rrjetet sociale.

Gandelsman shpërndau një fotografi të ngjashme në adresën e saj në Instagram duke e quajtur Miss Irakun “të mrekullueshme”. Postimi i saj u pëlqye nga gati 3 000 persona.

Duke pasur parasysh se nuk ka marrëdhënie diplomatike midis Izraelit dhe Irakut, disa në botën arabe që akuzojnë Izraelin për abuzime, reaguan ashpër.

Asaad Abukhalil, një profesor në SHBA, shkroi në rrjetet sociale:

“Mbretëresha e bukurisë së Irakut duke pozuar me mbretëreshën e bukurisë së pushtimit dhe brutalitetit”.

Në përgjigje të kritikave,  Eedan bëri një deklaratë në Instagram, duke thënë se Miss Izraeli i ishte afruar asaj duke shprehur dëshirën për paqe midis dy popujve të tyre.

Zëdhënësi i Kryeministrit izraelit, Ofir Gendelman, gjithashtu vlerësoi foton, duke e quajtur atë një “mesazh të madh shprese për rajonin”./tvklan.al