Në miliona euro përllogariten fitimet e kartelit shqiptaro – grek të drogës, që u godit të dielën nga policia greke me kapjen e 700 kilogramëve kanabis në ishullin e Zakinthos.

Organizata kriminale vepronte në Shqipëri, Greqi, Belgjikë, Maqedoni dhe Hollandë. Bosi i kartelit dhe financuesi kryesor i këtij rrjeti konsiderohet një 44 – vjeçar shqiptar, me lidhje të forta në Shqipëri.

Ndërsa krahu i djathtë i tij ishte një 46 – vjeçar grek, që rekrutonte shoferë të shoqërive të transportit për të trafikuar drogën.

Dy ditë më parë, policia greke finalizoi operacionin me 15 të arrestuar, duke bllokuar edhe ngarkesën e drogës me vlerë 1.5 milionë euro që ishte nisur me gomone nga Shqipëria drejt portit të Patras, për t’u shkarkuar më pas në bregdetin e Zakinthos.

Mes të arrestuarve 5 janë shqiptarë dhe 10 grekë.

Koka e trafikut, që nga autoritetet greke cilësohet si ‘Eskobari’ shqiptar, është deklaruar si biznesmen.

Policia e vendit fqinj thotë se bëhet fjalë për një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kanabisit, heroinës e kokainës.

Oficerët e policisë, të përfshirë në këtë operacion, thanë se baza e këtij grupi ishte në Shqipëri, nga ku nisesishin sasitë e mëdha të drogës drejt vendeve të Europës Qendrore.

Tv Klan