Dua Lipa elektrizoi mbrëmë Tiranën me koncertin përmbyllës të turit të saj në të gjithë botën “Future Nostalgia”. Shqiptarët, shumë të ardhur edhe nga Kosova dhe trevat shqipfolëse enkas për koncertin e saj në Tiranë, shijuan performancën e artistes më të njohur shqiptare në mbarë botën, koncert që përkoi edhe me Festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Dua kishte përzgjedhur disa prej këngëve hit të saj, ndërsa performanca arriti kulmin kur këngëtarja mori flamurin shqiptar dhe bëri simbolin e shqiponjës.

Ajo uroi të gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë: “Urime 110-vjetorin e Pavarësisë. Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut. Këtu sot përfundojmë në Tiranë me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu”, u shpreh Dua Lipa.

Në fund të koncertit një spektakël fishekzjarrësh ndezi sheshin Skënderbej, që edhe pse në temperatura të ulëta ishte mbushur plot.

Koncerti i Dua Lipas ishte falas për të gjithë qytetarët.