Të respektosh fqinjët dhe hapësirën e përbashkët është shumë e rëndësishme, por mesa duket jo të gjithë e shohin kështu dhe e ndjekin këtë parim.

Në studion e “Historia ime”  në Tv Klan ka qenë një shtetas turk i quajtur Hasan Demircan, por që prej 25 vitesh jeton në Shqipëri, flet shumë mirë shqip dhe madje ka dhe nënshtetësi shqiptare.

Arsyeja që e ka sjellë tek “Historia ime”, është pikërisht një shqetësim në lagjen ku ai jeton prej vitesh, por që kohët e fundit mesa duket është shndërruar në burim stresi dhe pasigurie për të, familjen e tij dhe fqinjët e tjerë.

Fqinja që ka shtëpinë ngjitur me të, ka një sjellje anormale, bërtet, shan, gjuan me gurë, në drejtim të shtëpisë së Hasanit, por jo vetëm, në drejtim të kalimtarëve dhe makinave të parkuara duke bërë dëme të mëdha.

Hasani dhe banorët e tjerë të komunitetit e kanë shprehur dhe në polici shqetësimin e tyre përmes denoncimeve por situata vazhdon po e njëjtë, pa zgjidhje.

Hasani ka treguar për gazetaren se fqinja i ka shkruar tek muri i shtëpisë “pusht” dhe i ka shkaktuar rreth 350 mijë lekë të vjetra dëm tek makina. /tvklan.al