“Fqinja më hedh urinë e jashtëqitje në ballkon”, denoncimi i pazakontë në “Stop”: Më dhunon dhe më kërcënon fëmijët

Denoncimi në "Stop"


“Fqinja më hedh urinë e jashtëqitje në ballkon”, denoncimi i pazakontë në “Stop”: Më dhunon dhe më kërcënon fëmijët

21:20 03/02/2021

Një fqinje është bërë problematike prej disa vitesh për familjen Halili në “Astir” të Tiranës. Refije Halili është ankuar në emisionin “Stop” se fqinja i hedh jashtëqitje dhe urinë në ballkon dhe veç kësaj ka dhunuar zonjën si dhe fëmijët e mitur.

Zonja Refije thotë se ndihet shumë të frikësuar. Ajo ka treguar të gjithë historinë për emisionin “Stop” dhe thotë se për këtë problem ka mbyllur ballkonin me xham dhe grilë, por sërish problemi vijon.

“Kam tre fëmijë. Ka shtatë vite, që ka ndërruar jetë im shoq. Që prej asaj dite dhe deri më sot, kam konflikt të herëpashershëm me komshien. Nuk kam gjetur zgjidhje tjetër, përveçse te ju. Ne banojmë në katin e pestë, ajo banon në katin e gjashtë. Fillimisht, hidhte mbetje, plehra, inerte. Rrugëve e shkallëve, kur më takonte fëmijët, m’i kërcënonte. U detyrova dhe e mbylla ballkonin me xham, me grilë, që të vetëmbrohem. Ajo pretendonte, se unë gatuaj në ballkon dhe i shkojnë erërat sipër. E thirra, e futa në ballkon, që t’i tregoja, se nuk kam faj. Kalonte dy –tri ditë dhe situata agravonte më keq. Filluan të qajnë këta nga frika. Iu drejtova komisariatit. Kam bërë dëshmi herë pas here. Nuk kemi, se çfarë t’i bëjmë. Ajo duket e çmendur. Komshiu është fat, ti këtë fat ke patur. Mundohu, shit shtëpinë, ik! Më ka dhunuar. Mbrëmë agravoi gjendja shumë keq. Ajo më hidhte urinë dhe jashtëqitje në ballkon, në të dyja pjesët, te dritarja e banjës. Lava ballkonin, ndërkohë hapa dritaren, sa të ajros pak, kur më hedh prapë nga koka te këmbët, e gjitha urinë”, tregon Refije Halili.

Edhe pse herë pas here ka bërë kallëzimet në polici, situata nuk ka marrë zgjidhje. Denoncuesja më tej thotë se fqinja mund të ketë probleme mendore. Por përveç hedhjes së jashtëqitje dhe urinës në ballkon, fëmijët e denoncueses thonë se ata ndihen të frikësuar nga fqinja pasi ajo i ka dhunuar, duke u shkulur flokët.

Vajza e denoncueses: Sa herë, që kthehemi prej shkollës, kemi frikë të rrimë vetëm në shtëpi. Para disa viteve, kur isha jashtë, që luaja me shoqet, vinte dhe më shkulte flokët, kërcënonte. Dilja në ballkon dhe e pyesja, se çfarë po bënte, se sapo kishte hedhur urinë, më tha: “do të të shkul flokët, ik andej, vetëm mos prit që të dalësh jashtë!”. Sa herë, që dal jashtë, më shoqëron një më i madh, se kam frikë, se … brenda në shtëpi edhe mami ka frikë, që të na lërë vetëm, se mund të na vijë këtu dhe mund…

Ka ardhur shumë herë policia këtu, sa herë e ka lodhur mamin, duke e çuar në komisariat dhe prapë është kthyer pa një zgjidhje. Thjesht thoshin, se kjo është komshi dhe se nuk kemi, se çfarë t’i bëjmë.

Pas këtij denoncimi “Stop” ka shkuar dhe në shtëpinë e fqinjes që është denoncuar, por aty del djali i saj i cili hedh dyshime se mamaja e tij mund të ketë probleme mendore.

Gazetari: Mami, pse i bën këto veprime?

I biri: Nuk e di, se çfarë të them as vetë. Ndoshta e ka nga mosha, që i ikën truri…

Gazetari: Sa vjeç është mami?

I biri: 52.

Gazetari: Ti jeton vetëm me mamin?

I biri: Po!

Gazetari: Di, që është divorcuar mami?

I biri: Po!

Gazetari: Sa fëmijë jeni?

I biri: Dy. Jam unë, është edhe vëllai, është në Gjermani.

Gazetari: Vuan nga ndonjë sëmundje mami, qoftë edhe nga shëndeti mendor?

I biri: Nuk di, çfarë të them, se edhe për ta çuar në spital, ajo nuk pranon.

Gazetari: Po vetë, a ke biseduar ndonjëherë me mamin, që çfarë problemi ka, ose që të përpiqesh, që të kuptosh se ku qëndron problemi dhe ta ndihmosh, që ajo të mos i përsërisë më këto gabime, lidhur me fqinjën, sepse edhe ata janë tri fëmijë të mitur, siç je edhe ti.

I biri: Kam biseduar, por nuk merrem dot vesh me të./tvklan.al







Të ngjashme