Në 31 Dhjetor të 2020 një krim i rëndë tronditi Tiranën. Një ngjarje e cila u kthye dashur pa dashur në një serial televiziv ku përfshiu një marrëdhënie treshe midis një burri, gruas së tij dhe dy të dashurave të tij të cilat ishin motra. Një histori gati e pabesueshme por e vërtetë. Ku po shkon familja? Një pyetje që ndoshta e keni bërë dhe ju.  Individë të cilët kanë kaluar çdo cak njerëzor e që na japin një tjetër realitet që ndodh shumë pranë nesh. Sot në studion e “Historia ime” në Tv Klan është diskutuar se ku po shkon familja dhe individi dhe çfarë po ndodh me shoqërinë tonë? Krimi ndodhi në prani të djalit të mitur të njërës prej motrave që mbetën të vrara dhe motrës së tyre më të vogël.

Historia ka përfshirë një sërë dëshmish ku shkohet deri tek trafikimi i fëmijëve, shitja e tyre. Gjithsesi fjalën e fundit e ka prokuroria.

Në një lidhje direkte me emisionin ka qenë gazetarja Eriselda Martini e cila ndodhej para shtëpisë së Përparimit e cila ka intervistuar banorët e zonës dhe më shumë se 10 prej tyre kanë deklaruar se dy motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi ndër vite kanë ngelur shpesh herë shtatzënë dhe se Përparimi shpesh herë vizitoheshe nga një shtetas grek që e kishte mik të ngushtë.

Eriselda Martini: Ajo që më bëri mua më tepër përshtypje është komuniteti. Njerëz që kanë mbi 20 vite që jetojnë në këtë zonë dhe që i njohin këta njerëz. Kanë ardhur në vitin 1995, kjo shtëpi dikur ka qenë kasolle dhe më pas e kanë ndërtuar. Të dyja motrat, viktimat kanë jetuar këtu. Ato kanë qenë sanitare në pallatet përreth dhe kanë pastruar në këtë zonë. Njerëzit nuk duan të dalin në kamera, por ajo që më bëri përshtypje, mbi 10 qytetarë të kësaj zone thonë se i kanë parë në vitet e kaluara shtatzënë që do të thotë se ato vazhdimisht mbesnin shtatzënë, por banorët thonin që ne e dinim se çfarë ndodhte. Por për Përparimin thonin se ai nuk ishte agresiv me komunitetin dhe nuk guxonte të bënte diçka jashtë rrethit të familjes së tij. Kjo gjë i ka mbajtur këta qytetarë larg dhe nuk e kanë parë të nevojshme të bëjnë një denoncim në policinë e kryeqytetit.

Një gjë tjetër, dëshmi që mua më erdhi nga një banor i zonës është se këtu vazhdimisht vinte një shtetas grek në vitet e kaluara që kishte një shoqëri të ngushtë me Përparimin.

Mirela Milori: Fakti që i kanë parë motrat shtatzënë në periudha të caktuara dhe që një shtetas grek vinte aty, këtë e dëshmojnë banorët e zonës, jo për kamerën, por t’i e konfirmon që e dëshmojnë?

Eriselda Martini: Patjetër që po. /tvklan.al