Dy shqiptarë janë dënuar me burg nga drejtësia britanike pasi konsiderohen si dy njerëz që kanë shfrytëzuar një fabrikë kanabisi të ngritur brenda një godine ku më parë ishte vendosur një bankë e njohur.

Ka qenë një prej fqinjëve që ka sinjalizuar policinë. Këta të fundit gjetën brenda ndërtesës dy shqiptarët Xh. Mezuri dhe A. Lleshi. Ata dyshohet se kanë kultivuar drogë vlera e të cilës mund të ketë shkonte deri në 400 mijë Paund.

Brenda në ndërtesë u gjetën llamba profesionale ngrohëse, ventilatorë dhe ujë. Gjithsej aty ishin përdorur 10 dhoma, 9 prej të cilave plot me kanabis.

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, fqinji ka pikasur aktivitetin dyshues të të rinjve. Ai ka thënë se në ndërtesë dëgjoheshin zhurma të mëdha gjithë ditën, dritaret ishin nxirë, njerëzit dilnin dhe hynin ndërsa dëgjoheshin persona që flisnin gjuhë të huaj.

Dy shqiptarët tentuan që të largoheshin por u ndaluan menjëherë në dalje të ndërtesës. Ata akuzohen edhe për qëndrim të paligjshëm në Britani. Mezuri u dënua me 23 muaj burg, ndërsa Lleshi 18 muaj./tvklan.al