Franca dhe Gjermania rikthejnë karantinën



Franca dhe Gjermania rikthejnë karantinën

15:50 29/10/2020

Shtetrrethimi dështoi, nuk ndalen rekordet në infektime

Dy motorët e ekonomisë europiane, Franca dhe Gjermania rikthejnë për së dyti karantinat kombëtare. E plotë do të jetë karantina në Francë që nis mesnatën mes kësaj të enjteje dhe të premtes. Siç tha Presidenti Emmanuel Macron, nga shtëpia do të lejohet dalja vetëm për punë e për arsye shëndetësore.

“Nga shtëpitë mund të dilni vetëm për punë, për vizita mjekësore, për të ndihmuar të afërmit, për të bërë blerjet ose për të marrë ajër afër shtëpisë”.

Plani parashikon nxitjen sa më shumë të jetë e mundur e punës nga shtëpia. Bizneset e argëtimit dhe të kohës së lirë, si dhe baret e restorantet do të mbyllen. Shkollat do të vijojnë të jenë të hapura, ndërsa cikli i lartë do të alternohet edhe me leksione online. Për shkak të ezaurimit të kapaciteteve në qytetet e mëdha, pacientët transportohen me mjete ajrore drejt spitaleve ku numri i pacientëve është më i ulët.

Më e butë do të jetë karantina 1-mujore kombëtare që do të nisë Gjermania prej të hënës së 2 Nëntorit. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të mbyllen baret, restorantet, palestrat dhe teatrot. Karantinat u vendosën pas dështimit në frenimin e përhapjes së COVID-19 me shtetrrethime. Këtë 24-orësh, Gjermania dhe Italia shënuan rekorde të reja infektimesh.

Ndërsa një studim në Britaninë e Madhe konstaton se 100 mijë njerëz infektohen çdo ditë, por shumica dërrmuese nuk arrin t’i nënshtrohet testimeve për shkak të pamjaftueshmërisë së tamponëve ose prej mungesës së simptomave.

Tv Klan




Të ngjashme