Vendimi i qeverisë franceze vjen pas rritjes së ndjeshme të infektimeve me variantin Delta

“Franca duke filluar nga data 9 Gusht do të zbatojë legjislacionin e ri që e bën të detyrueshme pasaportën shëndetësore për hyrjen në çdo ambient publik, si bare, restorante, fluturime apo dhe udhëtime të brendshme në Francë”, tha zëdhënësi i Qeverisë franceze Gabriel Attal.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, rritja e numrit të të infektuarve është nxitur nga varianti Delta, me një mesatare prej 19,000 rastesh në ditë, çka nënkupton se situata shëndetësore në Francë po vazhdon të përkeqësohet dhe po bëhet shqetësuese.

Njoftimi i tij ka ardhur teksa të dhënat kanë treguar se 50% e popullsisë së rritur në Francë, tani është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Legjislacioni i miratuar nga parlamenti francez në fundjavë, ka nxitur protesta masive në Francë, por Qeveria është e bindur për ta çuar atë përpara dhe për t’i bërë pasaportat shëndetësore pikë kyçe në luftën kundër koronavirusit.

Legjislacioni e bën të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët shëndetësorë.

Një dokument i tillë ka qenë i detyrueshëm nga 21 Korriku për vizita nëpër muze, kinema dhe qendra kulturore me kapacitet jo më shumë se 50 persona.

Qeveria franceze përmes aplikimit të pasaportës shëndetësore ka vendosur të luftojë koronavirusin.

Presidenti Emmanuel Macron ka thënë gjatë fundjavës se refuzimi për të marrë vaksinën përbën “mungesë të përgjegjësisë dhe egoizëm”.

Klan News