Liderët e Bashkimit Europian mblidhen këtë të enjte për samitin dyditor, në një kohë kur vetë blloku ndodhet në udhëkryq, mes mandatit të vjetër dhe atij të ri që prodhuan zgjedhjet e Parlamentit Europian.

Deri tani pak shenja marrëveshjesh mes grupeve parlamentare apo liderëve janë shfaqur rreth emrave që pritet të zgjidhen në krye të institucioneve europiane.

Historikisht ka qenë hegjemonia franko-gjermane që ka vendosur për kandidatët, por këtë herë duket se ka një përplasje mes Emmanuel Macron dhe Angela Merkel. Megjithatë presidenti francez refuzoi ta cilësojë të tillë.

“Mendoj që ky është një gabim. Nuk mund ta konsiderojmë si një përplasje. Tani do të shkoj të takoj kancelaren Merkel e të vijojmë shkëmbimet tona, që janë të vazhdueshme. Roli i Francës është të gjejë një zgjidhje konstruktive e të mos jetë e mbyllur në asnjë skemë për të nxjerrë ekipin më të ekipin më të mirë për Europën. Na duhen figurat, personat të cilët duhet të çojnë përpara këtë projekt”.

Më pesimiste duket kancelarja Merkel, e cila nuk e fshehu distancën aleatët.

“Ekziston mundësia që ky Samit të mos nxjerrë ende një emër për krerët e institucioneve. Pozicionet tona janë ende të largëta dhe mund të mos kemi një rezultat. Por ky nuk është një problem pasi kemi ende disa ditë kohë”.

Ndër temat kryesore të përmendura edhe nga krerët e shteteve përpara Samitit është klima, e kthyer në një sfidë për Bllokun, veçanërisht pas rritjes së kuotave të të gjelbërve në PE.

Nuk dihet nëse në tryezën e liderëve do të jetë zgjerimi dhe diskutimi për shtyrjen e vendimit për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për në muajin Tetor.

Tv Klan