ebola-franceFranca bëhet vendi i dytë në botë dhe i pari në Europë që nis matjen e kontrollit të temperaturës nëpër aeroporte për parandalimin e përhapjes së virusit Ebola.

Prej së shtunës, në aeroportin më të madh të vendit, “Sharl de Gol”, ekipe të posaçme mjekësore kontrollojnë të gjithë pasagjerët që mbërrijnë nga Afrika Perëndimore.

Të parët i kanë kaluar testet udhëtarët e një fluturimi nga kryeqyteti i Guinesë në atë francez, të cilët nuk kanë paraqitur asnjë problem.

Pavarësisht këtyre masave në disa vende perëndimore, në terren situata vijon të jetë alarmante, ndërsa Presidenti amerikan deklaron se duhen më shumë përpjekje për ta vënë nën kontroll virusin.

Barack Obama – Presidenti i SHBA:“Nuk mund vendosim një mur me Afrikën Perëndimore, ku përhapja e kësaj sëmundje është në pik. Ekspertët kanë thënë se mënyra më e mirë për ta ndaluar atë, është për t’i shkuar në burim, përpara se të përhapet edhe më keq e të bëhet më e vështirë për t’u kontrolluar. Përpjekja për të vënë në karantinë një rajon të tërë të botës, në se kjo do të ishte e mundur, mund, në fakt, ta përkeqësonte situatën.”

Në Spanjë, autoritetet shëndetësore deklaruan se analizat e 4 personave të dyshuar si të prekur me virusin Ebola, kanë rezultuar negative.

Në total janë 18 persona që po mabhen të izoluar në një prej spitaleve të kryeqytetit të këtij vendi. Nga ana tjetër, një anije turistike amerikane nuk është pranuar të ankorohet në një port meksikan, për shkak të dyshimeve se një pasagjer ka shfaqur siptomat e Ebolës.

Nga sa bëhet me dije, ai është një punonjës mjekësor i spitalit të Dallasit, në të cilin janë konfirmuar tashmë 2 infermjere të prekura nga kjo sëmundje.

Sipas shifrave zyrtare të OBSH, janë më shumë se 4500 viktima dhe mbi 9200 raste të identifikuara në shkallë botërore, shumica dërmuese e të cilëve në Afrikën Perëndimore.

Tv Klan