Franca është kampionia e re e botës. Në një finale spektakolare me plot 6 gola të shënuar, kombëtarja franceze u shpall fituese e garës më të rëndësishme sportive në botë, duke mundur Kroacinë 4-2.

Kroatët ishin ata që e nisën me shumë vrull ndeshjen, duke treguar qëllimin e tyre për ta mbyllur sa më shpejt, por ishin francezët që patën rezultat. Një goditje dënimi e fituar pranë zonës, Griezmann kroson pranë portës dhe Mandzukiç shënon autogol.

Kroatët nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e barazimit me një aksion këmbëngulës. Autor Perisiç.

Ky i fundit u tregua i pakujdesshëm dhe prekja e topit me dorë në zonën e vet, i kushtoi një penallti. Antoine Griezmann e konverton në gol.

Francezët janë racionalë dhe të përmbajtur. Presin të tërheqin Kroacinë për të zbritur drejt portës së tyre me kundërsulme të shpejta.

Strategjia pati rezultat me goli e Pogba në minutën e 59′. Dhe të të shpejtit Mbappe…

U duk se shpresa po ringjallej për kroatët kur Mandzukiç insistoi në ndjekje të një aksioni dhe shënoi golin e dytë.

Por Franca mundi të administronte lojën. Me ftohtësi priste aksionet e shumta të Kroacisë energjike, duke i shuar ato dhe duke i kthyer në përpjekje pa efekt.

Franca shpallet kështu kampione bote për herë të dytë në historinë e kësaj gare të krijuar nga francezi Jules Rimet.

Ndërsa Kroacia meriton

‘Chapeau’,

pikërisht atë që në frëngjisht do të thotë ‘t’i heqësh kapelen’ për paraqitjen e saj të jashtëzakonshme në këtë botëror. Kroatët e kishin fituar trofeun e tyre që në kualifikimin në finale. Tashmë ata janë skuadra e dytë më e mirë në botë.

Tv Klan